Fitorja e kupës dje nga Vllaznia U19 e ka entuziasmuar pa masë përgjegjësin teknik të Akademisë Vllaznia Alban Neziri. Në një intervistë të dhënë për televizionin Rozafa menjëherë pas ngritjes së kupës, ai është shprehur i kënaqur me këtë arritje por njëkohësisht ka lëshuar edhe një thirrje në adresë të drejtuesve të klubit, për më shumë vëmendje ndaj pjestarëve të këtij ekipi sepse sipas tij, janë e ardhmja e Vllaznisë.

“Falenderoj djemtë, falenderoj trajnerët e Akademisë Vllaznia sepse bënë të mundur marrjen e një tjetër trofeu sepse po realizojmë objektivin që i kemi vënë vetes, për të marrë çdo trofe të mundshëm edhe këtë sezon.

Më vjen pak keq për ekipin U17 sepse ishte shumë pranë finales dhe marrjes së kupës edhe ai, por premtoj se në qershor do të jemi prapë me të dy ekipet duke pretenduar edhe fitimin e titullit kampion.

E kam theksuar dhe e theksoj se këta djem janë e ardhmja e Vllaznisë dhe drejtuesit e klubit të mos kenë frikë të firmosin me to sepse në qershor ka për të qenë shumë vonë ngaqë shumë trajnerë, specialistë dhe menaxherë, po afrojnë duart drejt tyre.

Prandaj drejtuesit e Vllaznisë duhet t’i kenë më në konsideratë sepse këta djem janë e ardhmja e saj, e ardhmja e Shkodrës sepse kjo skuadër nuk ka nevojë me marr 6-7 lojtarë jabanxhinj, apo dhe disa të tjerë që janë aktualisht pjesë e saj por që u mbaruar cikli. E them me bindje të plotë se ky ekip, ky brez, është ndër më të mirët e gjithë këtyre viteve të fundit.

Më vjen keq sepse edhe në ndeshjen finale ndaj Besës, ishim sërish vetëm me disa familjarë të futbollistëve ndërkohë që kavajasit kishin mbi 300-400 tifoza e po ashtu ishin edhe të gjithë drejtuesit e klubit të Besës.

Ndoshta dikujt në Shkodër nuk i bahet qejfi që këta djem dalin kampionë, por ato nuk janë as të Luan Zmijanit, as të Alban Hasanit dhe as të Qashif Hoxhës. Janë djem të Shkodrës, të Vllaznisë dhe duhet të besojmë më shumë tek ta sepse janë e ardhmja”- është shprehur Neziri.
© shkodrasport.com