Vllaznia ka rënë një kategori më poshtë dhe në Shkodër akoma nuk u ka dalë “e keqja”. Në një qytet ku futbollin e kanë fe është një gjë normale në fakt.
Lojtarët janë shkaktarët kryesorë të dështimit, të paktën kështu mendojnë shumica, por ç’rëndësi ka që tani gjithçka ka mbaruar.
Kuqeblutë duhet të shohin nga e ardhmja në fakt dhe me moshat po bëjnë mirë ço vit.
Drejtori i Akademisë, Alban Neziri, ka folur së fundmi dhe atë që i ndodhi Vllaznisë e konsideron një turp, ndërkohë që ka akuza të rënda.
“Lojtarët nuk e kanë pasur mendjen te ndeshjet, por që të bënin klane në ekip.
Nuk ka pasur Vllaznia ndonjëherë lojtarë me më pak gjak e më me pak sedër se sa këta që janë.
Futbollistët e “mëdhenj” duhet ta lënë futbollin siç e kanë lënë më nder Sinani, Martini, Osja e shumë të tjerë në kulmin e tyre.
Dhe jo të marrin miliona dhe të bëjnë spiunin sa në një makinë te tjetra. Kjo ishte buka e turpit që ka për t’i ndjekur ata brez pas brezi.
Një njollë që nuk ua heq kush. Ata dalin tani e bëjnë presion nëpër gazeta se po i kërkojnë ekipet e tjera, por të jeni të bindur se as Veleçiku nuk i merr më.
Më vjen keq për Pjeshkën, Gurishtën, Kalanë, Bardullën, Markun e ndonjë tjetër që iu është ngrënë haku nga këta “mjeshtrit” e Vllaznisë”, ka thënë Neziri në një intervistë të botuar në “Panorama Sport”.
Ai ka pasur edhe diçka për Gilman Likën, që ditë më parë deklaroi se për të rënë Vllaznia punuan edhe të fortët në Shkodër.
DEKLARATA E KAPITENIT – “Njerëz shumë të fuqishëm në Shkodër kanë punuar shumë për të rënë Vllaznia.
Nuk e di cili është interesi i tyre, por për këtë jam 100% i bindur. Unë nuk mund të hyj me emra konkretë kur nuk kam faktet në dorë.
Por me aq sa e njoh unë futbollin dhe me aq sa kam unë eksperiencë, jam i bindur se ka pasur njerëz në Shkodër që kanë punuar të bjerë Vllaznia.
Nuk e di brenda apo jashtë klubit dhe nuk e di interesin e tyre. Për këtë jam i bindur 100%. Arsyet mund të dalin më vonë”, pat thënë Gilman Lika.
REAGIMI I HASANIT – “Ata duhet t’i lënë alibitë dhe u them: ‘o burra, në paçi pak respekt për vete, kërkojini falje këtij qyteti”.
Ata që e dinë, duhet të dalin me emra se kush e ka rrëzuar Vllazninë. Kush janë të fortët e Shkodrës që i thanë të pësonin gol në minutën e 95-të në Vlorë?!
Kush janë të fortët që i thanë të mundeshin nga Luftëtari në Shkodër apo të mos mundnin dot Kamzën?!
Po, mund të them se shumë lojtarë aty i kanë futur në fushë të fortët e Shkodrës që t’ua dyfishonin rrogat”, përfundoi Neziri.