Kohët e fundit, në media kanë qarkulluar lajme të ndryshme për një interesim të shfaqur nga Klubi Partizani për futbollistë të rinj të talentuar të Vllaznisë. Fillimisht u shfaq emri i Ardit Krymit dhe lajmi që qarkulloi ishte ai për një këmbim të tij me mbrojtësin Krasniqi. Nga ana tjetër ditën e sotme ka dalë një lajm tjetër. Ai i këmbimit të Sukajt me Erald Çinarin.

Duket se futbollistët e rinj të dalë nga Akademia Vllaznia janë të preferuarit e klubit të kuq. Por, ka reaguar përgjegjësi teknik i kësaj Akademie Alban Neziri që për “Shkodra Sport” do të shprehej në mënyrë ironike: “Lexova sot në shtyp se Partizani ka dëshirë të shkëmbejë kartonin e Sukajt me të Çinarit. Jam në merak në mos Partizani del i djegur nga ky këmbim nëse do të realizohej!”. Nga ana tjetër, Neziri që njihet për batutat e tij shkon edhe më tej duke thënë: “Shyqyr që nuk është Partizani i para viteve ’90 sërish se do të na i kishte marrë ushtar përsëri të gjithë lojtarët e talentuar të Akademisë Vllaznisë. Për fat, ajo kohë nuk vjen më. Lojtarët e mësipërme apo dhe të tjerë që sot janë pjesë e Vllaznisë, janë nën kontrata afatgjata me klubin dhe prandaj nuk mund t’i marrin kaq kollaj sa ato mendojnë”.

© shkodrasport.com