Alban Neziri, drejtori sportiv i akademisë Vllaznia, është shprehur i kënaqur me nisjen e skuadrës kuqeblu. Ai ka vlerësuar punën që po bëhet në këtë ekip duke ia filluar që nga stafi teknik e deri te lojtari i fundit. Neziri ka folur për “Panorama Sport” edhe për atë që shpreson të shikojë në javët e ardhshme.

Si e vlerësoni këtë nisje të Vllaznisë?

Një nisje shumë e mirë e ekipit tonë. E kam pritur një gjë të tillë, kjo duke shikuar punën që në fillim të stafit teknik, që para 3 muajve me një përkushtim të tillë, duke punuar mbi 8 orë në ditë si në fushë ashtu edhe në zyra. Kisha besim se djemve do t’u shpërblehej kjo punë. Këtë e treguan katër takimet e para.

Çfarë ka ndryshuar te kjo skuadër?

Ka ndryshuar mënyra e punës, e stërvitjes; janë më të zgjatura në kohë, ku përqendrohen në fushë e pastaj në zyra, duke analizuar çdo detaj të stërvitjes e të secilit lojtar. Përgatitja teknike e taktike që është suksesi i ekipit tonë, duke pasur parasysh që kemi një staf të kompletuar, me një trajner shumë punëtor e fanatik i stërvitjes e taktikës dhe i disiplinës në fushë e jashtë saj, si gjerman që është, por edhe krahu i djathtë i tij Elvis Plori, vlera më e shtuar e këtij ekipi në këto vitet e fundit.

Pa diskutim marrëdhënia e mrekullueshme që kanë ata, respekti reciprok për njëri-tjetrin do të jetë suksesi ynë si ekip. Nuk duhet të harrojmë që në krah të tij janë dy emra të mëdhenj që kanë bërë historinë me Vllazninë, Safet Osja e Ideal Lekiqi.

Si e shikoni ndeshjen e radhës ndaj Kukësit?

Shpresoj të vazhdojmë kështu. Që tani vjen era ekip me të gjitha hallkat ku kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me stafin teknik e sidomos me drejtorin sportiv, një njeri dhe profesionist e mik imi prej shumë vitesh, normal që bëhet puna me lehtë për këdo.


Si e shikoni këtë ekip, pavarësisht se është ende herët? Deri ku e shikoni se mund të shkojë kjo skuadër?

Me ndeshjen ndaj Teutës, që ishte një test shumë i rëndësishëm për ne, unë e shikoj këtë ekip pa frikë pretendent me Teutën e Durrësit për titull kampion. Këtë mendim kam, duke parë kontingjentin e lojtarëve që janë, 22 lojtarë të gatshëm për formacion, dhe punën e seriozitetin e stafit, sponsorit e bashkisë që po qëndrojnë shumë afër ekipit për çdo gjë.

Ku e shikoni forcën e kësaj skuadre?

Bindja që kanë ndaj stafit të tyre vetë lojtarët, që në fushë të jenë futbollistët që janë më në formë për momentin. Janë të gjithë të gatshëm të sakrifikojnë për të mirën e skuadrës. Ata janë kompakt me njëri-tjetrin. Besimi që kanë në vetvete dhe janë të gjithë të barabartë e nuk është dikush lider, por luajnë në grup e sakrifikojnë për njëri-tjetrin.


Por për afrimet e bëra, cili është mendimi juaj?

E kam thënë edhe më herët që jam partizan i lojtarëve shkodranë për peshën që kanë për fanellën, por portieri me ka surprizuar me garancinë që jep në portë. Po ashtu Adili është një lider e një djalë fantastik në mbrojte. Gjithashtu mbrojtësi i majtë si dhe dy sulmuesit e mesfushori brazilian, të cilët janë lojtarë që i përshtaten futbollit shkodran.