Entuziasmi që ka përfshirë skuadrën shkodrane pas pesë rezultateve të fundit pozitive, ka sjellë një klimë të mirë tek të gjithë pjestarët e saj. Pikërisht për këtë arsye, ata duan një tjetër rezultat pozitiv, këtë herë ndaj Bylisit. Ballshiotët në njëfarë mënyre konsiderohen rivalë të kuqebluve ngaqë ata ndodhen shumë pranë në renditje dhe një fitore apo barazim ndaj tyre do të thoshte një shkëputje njëherë e mirë nga fundi i tabelës së klasifikimit. Tek Vllaznia e kanë të qartë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe pavarësisht problemeve të rrogave, pavarësisht mungesës së disa titullarëve për këtë takim, por edhe pavarësisht faktit që skuadra do udhëtojë brenda dite, ajo sërish do kërkojë të mos kthehet e mundur nga Ballshi.

Zëvendëstrajneri Alban Neziri duke folur për gazetarët pas seancës së sotme është shprehur: “E kemi diskutuar disa herë me futbollistët rëndësinë dhe vështirësinë e këtij takimi. Për momentin Bylis konsiderohet rivali ynë dhe për ta lënë njëherë e mirë poshtë vetes, duhet të mos humbasim në këtë ndeshje. Nuk do të jetë e lehtë por edhe e vështirë jo. Kemi treguar si ndaj Kukësit ashtu edhe ndaj Tiranës se mund të marrim pikë dhe prandaj këtë duhet ta tregojmë edhe ndaj kësaj skuadre. Bylis luan mirë futboll, ka në përbërje lojtarë cilësorë por edhe ne kemi treguar se nuk jemi për atë vend ku ndodhemi aktualisht në renditje. Vërtetë na mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Cicmil e Krymi apo dhe ndonjë tjetër por besoj se do t’i zëvendësojmë. Kemi ofruar edhe 3-4 lojtarë nga ekipi U-19 për t’u dhënë edhe atyre mundësinë që të tregojnë vlerat e tyre por edhe për t’u thënë disa lojtarëve të tjerë që janë në ekipin e parë se nëse nuk na bindin, mund të shkojnë të stërviten për disa kohë tek ekipi B sepse Vllaznia nuk ka kohë për t’i pritur të japin më të mirën e tyre. Gjithsesi, klima në skuadër është e mirë dhe besoj se pa pikë nuk do të kthehemi nga Ballshi”- ka thënë ai.
Gjergj KOLA