Merkatoja e Bylisit duket sikur po shkon në heshtje, por flitet se presidenca ballshiote është kujtuar më herët se çdo sezon tjetër për ndërtimin e ekipit që do të garojë në Superiore për sezonin e ri.

Madje, pritet që shumë shpejt të zbarkojnë 4- 5 lojtarë nga Brazili, megjithatë janë parë si mundësi afrimi edhe disa talente nga Afrika, por që me ta është pak më e vështirë sepse kanë vonesa në kryerjen e procedurave për vijimin e karrierës. Ballshiotët kanë në planet e tyre edhe disa lojtarë të rinj të perspektivës, të moshave 17-20 vjeç, të cilët janë paraqitur mirë, jo vetëm në kampionatet e moshave, por edhe vjet në Kategorinë e Parë.

Te Bylisi u dallua edhe një futbollist shtatlartë në sezonin e shkuar, që më parë ka spikatur me skuadrat U-19 dhe U-21 të mallakastriotëve. Bëhet fjalë për shkodranin Roland Shkreli. Mesfushori me një fizik për t’u admiruar pritet të jetë një zbulim në sezonin e ri, nderkohe qe me pare ka spikatur me ekipet e Akademise Ada ku eshte rritur.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shkreli ndihet i vlerësuar dhe për më tepër shprehet se Bylisin e shikon si një trampolinë për karrierën e tij. “Jam i lumtur që arrita të luaj vjet si titullar me ekipin e parë të Bylisit, edhe pse në moshën 18-vjeçare. Ka pasur shumë konkurrencë dhe kemi mësuar edhe prej lojtarëve me eksperiencë.

Tashmë Superiorja është tjetër, ka më shumë konkurrencë dhe përgjegjësi, kështu që do të mobilizohem maksimalisht dhe kam dëshirë që të luaj edhe në elitën e futbollit shqiptar. Shpresoj të jap më të mirën time, duke qenë se në Ballsh i kanë me prioritet të madh futbollistët e rinj. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur në karrierë.

Dua që një ditë, si shumë shkodranë të tjerë, të luaj me ekipin kombëtar U-21. Mendoj se Ballshi është rruga e duhur që të rritem edhe më shumë në karrierë. Ndihem mirë edhe për faktin se jemi shumë lojtarë në moshë të re dhe kemi luajtur bashkë si te moshat dhe tek ekipi U-21”, u shpreh Roland Shkreli, mesfushori shkodran i skuadrës ballshiote.