Ndeshja e eliminatoreve për Euro 2024, Shqipëri-Republika Çeke, Tiranë, 12 tetor 2023 në stadiumin kombëtar, “Air Albania”.
Çdo ndenjëse një plis!
Çdo plis një zemër!
Çdo zemër një zë!
Çdo zë një thirrje!
Dhe gjëmoi “Air Albania” siç nuk kishte shkundullitur kurrë më parë nga themelet deri në qiejt, lart ku prehen shpirtrat e përjetësisë që pikuan e bekuan këtë natë solemne, këtë mbrëmje fitoreje, këtë zgjim të thirrjes së gjakut, gjakut që skuqi këtë flamur dhe hymnizoi këtë mbrëmje më plis e shqiponjë.
Ishte e veçanta e atmosferës kuqezi në shkallët e Arenës Kombëtare, për ndeshjen Shqipëri-Çeki, ishte për të mbetur prej më të spikaturat, më madhështorja. Plot 22 mijë qeleshe janë dhuruar nga Digitalb, jo thjeshtë për marketing, por për ta shndërruar magjike atmosferën, e cila mbeti elektrizuese përgjatë gjithë kësaj ndeshje epike. Dhe për të vijuar gjatë gjithë natës festive në Tiranë dhe kudo ku shqiptarët e zbardhën me ngjyrat kuq e zi, në veshje e në zemër.
Ideja e qelesheve, e cila u potencua nga banderolat, pjesëmarrja në stadium e kreut të ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, por me një rëndësi thelbësore prania në shkallët e Arenës Kombëtare të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti bashkë me Lulzim Jasharin, djalin e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit. Për t’u finalizuar me këngën himn, “Mora Fjalë”, të Naim Gjoshit, kënduar live nga Shkurte Fejza.
Krejtkjo ishte një gjëmim i zëshëm për bashkim, një oshtimë që vjen nga thellësia e kohës dhe emergjenca e së sotmes për qëndresë, shqiptari dhe fitore. Pavarësisht se cila ishte përballja futbollistike, shqiptaria është thirrur në këtë manifestim të jashtëzakonshëm për të dëshmuar, se kemi forcë për të fituar, kemi arsye për festuar dhe besim për bashkim kombëtar.
Fitorja e përfaqësueses sonë kundër asaj të Republikës Çeke, ishte jo thjeshtë një konfirmim i Shqipërisë në vendin e parë më 13 pikë, në Grupit E, për eliminatoret e Euro 2024. Po, ishte shndërrimi i “Air Albania”, në një tempull të nacionalizmit, në një shpërfaqje spektakolare të ambicies për ta ngjitur idealin e lartë kombëtar, në kreshtën e një zëri buçitës, që shpërthen në shkallët e një stadiumi për të populluar Evropën dhe Botën me zgjim kombëtar shqiptarë.
Fushat e blerta shpesh kanë qenë arena të ndeshjeve epike, e tillë ishte dhe ajo e mbrëmshmja, 12 tetor 2023, për të na sjellë në kujtesë betejën e 14 tetorit 2014 në stadiumin e Partizanit në Beogradit kur valëviti “Autochthonous” në zemër të Serbisë. Jo pak herë këto kulmime të garës dhe sfidës kanë shërbyer si një katalizator i ridimensionimit të ndjenjës nacionale. Pavarësisht se është futbolli si indicie, në të vërtetë ai mbetet ndoshta mjeti më efikas që shpie te përmbushja e qëllimeve, dhe nacionalizmi është reflektimi më i shpejt në këtë kontakt.
Ngjarjet e fundit në Kosovë, nevoja për bashkim kombëtar, dukshëm ka marrë një shtysë, që merr zjarr në një ndeshje futbolli, për të ushqyer frymën, për të shprehur fuqinë, për të ndërmendur krejtkujt se ne dimë të luajmë, të luftojmë dhe të fitojmë shqip.
Bashkimi i trojeve shqiptare, korrigjimi i një prej padrejtësive më të mëdha historike që Evropa na bëri, për logjikën e politikës është një mision i pamundur, por për idealin kombëtar është një e drejtë, e cila mund të shpërthejë në entuziazmin e një tifozerie, për t’u shndërruar në një altar, të cilin e lartësojmë me besim dhe e përmbushim me devocion dhe përkushtim.
Dje nuk fituam vetëm ndaj Republikës Çeke, nuk çimentuan vendin e parë në Grupit E, për eliminatoret e Euro 2024, që na afron me Gjermaninë, nuk triumfuam vetëm në një ndeshje futbolli, por e lartësuam ndjenjën tonë kombëtare në qiejt e asaj lavdie, të cilën e ushqejmë me magjinë kuqezi dhe fitore.