Nga BESNIK DIZDARI

Një herë i pata quajtur të gjithë me këtë emër: “Sportisti i Durrësit”. Doja të personifikoja historinë e tyre të bashkuar në një, sepse Durrësi është një prej pjesëve më të ndritura të historisë së sportit shqiptar. Madje, Durrësi është themelues në sportin shqiptar. Në Shqipëri sportistët e Durrësit kanë qenë nga ata të cilët kanë pasur një mënyrë sjelljeje krejt të tyren, njëfarë lirshmërie vetjake, një pasion personal, një atdhetari sportive të pakrahasueshme për qytetin e tyre, nëse mund ta përcaktonim kështu.

Në Durrës sporti ka qenë ndër më intelektualët në Shqipëri, jo thjesht për arsimimin e sportistëve qysh në fillimet e sportit të tij dhe as për faktin se bijtë e familjeve më të mira, më tradicionale të qytetit janë ata që i kanë dhënë sportit jetë, por në tanësi në atë që më pëlqen ta quaj “sporti qytetar”. Kësisoj, duke dashtë ta nënkuptoj këtë sport si pjesë të plotë të kulturës së një kombi, aq më tepër për Durrësin, i cili ka pasur olimpistë të famshëm qysh në olimpiadat e lashtësisë.

Sportistët e Durrësit janë ata të cilët edhe kur gëzimi mungonte e ishte aq i rrallë në Shqipëri, ata dinin ta krijonin atë si pakkush. Sportistët e Durrësit kanë qenë notarë të mrekullueshëm, basketbollistë e volejbollistë që rrallë i ka pasë Shqipëria, futbollistë të famshëm për ne, atletë që kanë thyer gjithnjë rekorde kombëtare.

Durrësi ka pasë shahistë europianë, peshëngritës rekordmenë, boksierë e çiklistë të mëdhenj, gjimnastë që kanë bërë histori, qitës botërorë e deri pingpongistë të shquar. Durrësi ka lindur e formuar atleten më botërore të Shqipërisë, Mirela Manjanin – dy herë kampione e botës dhe nënkampione olimpike në shtizë. Ndërkaq, në këtë 2021 Durrësi sa është kampion në futboll po aq është kampion edhe në basketboll, me Teutën apo me Goga Basket-in e tij, duke u bërë qyteti i parë në historinë e Shqipërisë ku dy skuadra basketbolli të tij janë kampione dhe nënkampione njëherësh.

I tillë është “Sportisti i Durrësit”. Ai i cili të mrekullon mbi të gjitha me temperamentin e tij të flaktë, me talentin e fuqishëm, me sfidat e tij, me guximin, të gjitha këto – pjesë të një stili që në këtë qytet të vjetër sa toka, është mënyre jetese, stil i vërtetë qytetarie. Historia e tij është një e vetme, pjesë e pandashme e historisë së vetë qytetit. Nga brigjet e tij adriatikase kanë mbërritur në Shqipëri shumë sporte, e prej këtu janë krijuar fillime e kanë lindur sa e sa tradita kulturore e sportive, qytetare e patriotike, antike e moderne.

Si një nyjë lidhjeje e pashkëputshme me botën, gjithsesi edhe në gati 50 vjetët kur për Shqipërinë qe mbyllë edhe dritarja e madhe durrsake, prapë se prapë bregu i Durrësit, në vetvete, ka qenë një shpresë, një shpresë e madhe lirie mbi të gjitha. Dhe mandej, mbasi flaku tej atë, emrin e makinës, “Lokomotiva”, dhe rimori emrin e njeriut, të historisë, “Teuta”, ia arriti të bëhej mbret i kampionatit shqiptar edhe në futboll.

Tash po marr guximin të krahasoj “Sportistin e Durrësit” me këtë të sotmin që fitoi kampionatin kombëtar të Shqipërisë këto ditë, mbas bukur 23 vjetëve. Papritmas më duket diçka krejt tjetër, sepse, përveç të tjerave, sot Teuta ka fituar një titull që në përbërjen e lojtarëve nuk është tipik durrsak, është universal – shqiptar, e madje ndërkombëtar. Them kështu se në kombësinë e lojtarëve të saj kjo është një Teutë globale, deri dhe me futbollistë brazilianë, maqedonas e grekë. E megjithatë prapë se prapë ai është “Sportisti i Durrësit”.

Të mërkurën e 26 majit 2021, në Durrës festa “modeste” që ka nisë në stadiumin e më pak spektatorëve në gjithë historinë tonë për një fund kampionati, në mbrëmje ka vazhduar fort përtej perëndimit të diellit. Ky është stili i vjetër i Teutës së Durrësit. 27 vjet e ka pritur Teuta këtë ditë, duke ua rrëmbyer titullin tre rivalëve thuajse të njëjtë mû në çastin e fundit: Vllaznisë, Partizanit e KF Laçit. Dhe nuk mbajmë mend një fitore kampionati prej një skuadre jo të kryeqytetit, që të mbërrihej kësisoj.

Nuk ishte si në Kavajë në 1994, kur derbi i tyre ka qenë përherë një ndeshje karakteri. Teuta 2021 çelësin e portës që e çonte te titulli i dytë, nuk mund ta kërkonte në Kavajë, sepse Besa e famshme është zhdukur në Kategorinë II. I duhej ta kërkonte në Tiranë e në Shkodër. Pse jo, edhe në Laç. Dhe e mori. E mori përmes një fitoreje të bujshme 6-1 që e ka detyruar Apoloninë e halleve të mëdha t’i shtrëngojë e para dorën kësaj kampioneje, e cila me golat e pandalshëm të saj, shkoi në vetëm + 4 gola mbi rivalin Vllaznia e Shkodrës. Këta qenë golat e titullit dramatik.

Çuditërisht, fati i kampionatit u vendos pikërisht falë kësaj Vllaznie, një fat fatal si në kthesat e “tragjedive” greke. Akti “tragjik” ndodhi vetëm 180 minuta para mbarimit të kampionatit, më 21 maj 2021, kur Vllaznia fitoi 1-0 në Tiranë me Partizanin. “Krimi” u bë prej një 11-metërshi të pamëshirshëm, në fund të fundit, fryt i epërsisë së dukshme të shkodranëve gjatë gjithë lojës. Mû këtu ndërroi fati i kampionatit. Ndërroi kur Teuta u duk se u përplas për tokë ngaqë vetëm 4 ditë më parë, ajo kishte humbur në Durrës 0-1 me Partizanin, i cili qe vënë në krye dhe para kohe mendoi se titulli do të ishte i tij. Harroi se kishin mbetur edhe 180 minuta lojë.

Dhe, në 90- shin e parë të tyre, Vllaznia shuan pa mëshirë shpresat partizanase. Në këtë çast Teuta e kupton se titulli mund të jetë i saj, sigurisht mbas një rezistence të pagabueshme 0-0 me konkurrentin tjetër në Laç. Jo më si në 1994 kur dy ndeshjet e fundit i shndërron në festive, por tash vetëm njërën: atë 6-1 kundër skuadrës së fundit, Apolonisë së Fierit. Titulli nuk mund t’i ndalej më prej askujt. As prej një Vllaznie dhe as prej një Partizani.

Ka pritur 27 vjet Teuta për këtë ditë të dytë titullare të saj. Në këta 27 vjet Shqipëria nuk ka ndërruar katër regjime si deri në 1994, kur kishte përjetuar mbretërinë, luftën, shtypjen dhe kishte fituar demokracinë. Sot, për fat, ajo po shpallej kampione në një demokraci shpesh autarkike si kjo e viteve të fundit pra, ku gjithçka sikur arrihet diku, prej urdhrave të majës së pamëshirshme: deri dhe me mpakjen e një kampionati me vetëm 10 skuadra. Jo me 14 si në 1994 kur Teuta fitonte titullin e parë.

Simbas renditjes 1994, ato ishin: Teuta e Durrësit, SK Tirana, Flamurtari i Vlorës, Vllaznia e Shkodrës, Dinamo e Tiranës, KS Elbasani, Partizani, Albpetroli i Patosit, Apolonia e Fierit, Besëlidhja e Lezhës, KS Lushnja, Besa e Kavajës, KF Laçi, Sopoti i Librazhdit. Jo 10, por plot 14 skuadra! Prej tyre në kampionatin kombëtar 2021 ishin vetëm 6: Teuta, SK Tirana, Vllaznia, Partizani Apolonia, KF Laçi. Duke i vështruar, Teuta e sotme e kupton se ka humbur shumë miq të vjetër… Natyrisht, as ajo vetë nuk ka mbetur po ajo.

Në plot këta 27 vjet ajo ka fituar edhe katër herë “titullin” e nënkampiones. Mbi të gjitha ajo ka fituar katër Kupa të Shqipërisë dhe një Superkupë. Dhe këtë verë e sheh veten si klubi më i fuqishëm i vendit. Ndërsa unë që nuk i ndahem “Sportistit të Durrësit”. Skuadra e një Dovane dhe e një Gjiri, e një Tartari dhe e një Jeremiqi, e një Margeriti dhe e një Thermie, ka qenë një nga shoqëritë më qytetare të Shqipërisë, që gjithsesi diti ta ruajë traditën e saj të pastër edhe atëherë kur qe aq vështirë për t’u ruajtur.

Këtu është rasti për të thënë se të një Durrësi janë Skënder Jareci e Qemal Vogli, Raq Manushi me të bijtë dhe Ali Zalla, Teli Ciko e Abdulla Duma, Nikolla Bespalla e Orest Grami, Petraq Ikonomi e Safet Berisha, Maksut Leshteni, Osman Kapidani e dy Ballgjinët e mëdhenj. Për të ardhur te Çela e te Bulku, te Hima e tek Ajazi, te Miha, tek A.Maliqati e Filiari, te Hado e Meta. Kaq sa për të përmbledhur në pesë radhë disa protagonistë të një historie të hershme që fillonte në Durrës e shpesh mbaronte diku tjetër, për lavdinë e dikujt tjetër… Për t’iu shtuar këtyre kampionët e Teutës 2021: Aleksi, Arapi, Avdyli. Beqja F., Beqja L., Bregu F., Daja, Frashëri, Gruda, Hebaj, Hoxha, Jackson, Junior, Kapllani D., Karabeci, Kouros, Krasniqi, Pjeshka, Plaku 21, Todorovski, Vila E., Vila L., Zogaj. Trajner Edi Martini.

Dhe po kthehem prapë mbrapa. Po rreshtoj 17 protagonistët e Durrësit të cilët arritën deri te fanella e Kombëtares së Shqipërisë: Jareci, Vogli, Qoshja, Berisha, Duma, Leshteni, A.Lekbello, Sh.Ballgjini, H.Ballgjini, Kapllani, Abazi, Sukaj, Pali, Qendro, A.Dashi, Sh.Kapidani, Alvaro Zalla, Dobi, Alliu, Koça, Martini, O.Muka, Babamusta, Mancaku, D.Xhafaj, Vila, T.Osmani, Veliaj, Dosti – i fundit kombëtaras i Teutës, në 2014. Dhe kampionia jonë, e cila qysh prej 2014-ës nuk ka më asnjë lojtar në Kombëtare!…

Ajo do të ruajë “përjetësisht” në histori fitoren 2-0 të Shqipërisë ndaj Bosnjë-Hercegovinës në 1995 kur formacioni i Shqipërisë kishte plot 5 lojtarë të Teutës: Kapllani, Qendro, Alliu, Dobi, Koça! Dhe të dy golat vepër e durrsakëve Qendro e Dobi. Ishte 1995 dhe Teuta ishte nënkampione e Shqipërisë. Guximtari i përfshirjes së kaq shumë durrsakëve në Kombëtare – rekord absolut për te deri më sot – ishte trajneri Neptun Bajko. Historia kombëtarase e Teutës të duket se është mbyllur me mohikanin e fundit të saj, Albi Dosti në 2014.

Merret me mend se përse… 27 vjet më parë mbahet mend që të 15 kilometrat e autostradës Kavajë – Durrës patën përjetuar gjallërinë e mbrëmjes së asaj të shtune 1994, ku rreshtimi i pafund i veturave të durrsakëve simpatikë patën krijuar një imazh dritash “të lidhura” njëra mbas tjetrës në një gjarpëruese të përshkëndijtë, të pambarim. “Teuta – skuadra e tifozëve me vetura!” Kështu pata shkruar. Ndërsa tash, në 2021, nuk ekzistonte më spektakli i titullit “kavajas” 1994. Teuta 2021, për fatin e një fataliteti të një pandemie të pamëshirshme, hyri në histori si kampionia pa spektatorë. E megjithatë, ata prapë se prapë ishin me mijëra.

Ishin në rrugët e qytetit, në shtëpi, para ekranit të televizionit, në zemrat e gjithë durrsakëve. Në 1994 suksesin më të madh e pati “vepra” e trajnerit Edmond Miha, pjesa e dytë e së cilës u shkrua me një stil tejet ritmik e origjinal prej trajnerit Haxhi Ballgjini. Në 1994 të dy këta na patën dhanë një kampione, forca e së cilës mbi të gjitha ishte te porta. Suksesi nuk qe vetëm te porta e një Kapllani 20- vjeçar i të 793 minutave lojë pa gol, i cili përmes një trashëgimi vërtet sensacionale, vazhdoi me 761 minutat pa gol të 24- vjeçarit Kujtim Shtama.

Ndërsa në këtë 2021 them se ishte diku tjetër. Ishte te barazimet e pafund, plot 15, ndonëse prapë ishte edhe te golat e pësuar, vetëm 16. Sot, në 2021, trajneri është dikush tjetër. Është Edi Martini – firmë e madhe e fushës blertë për Vllazninë e Shkodrës, e cila jo drejtpërdrejt ia “blatoi” titullin e tij për te Teuta. Ky është trajneri Martini – njeriu i cili hyri në histori, teksa brenda 12 muajve i dha Teutës së Durrësit Kupën e Shqipërisë, Superkupën dhe titullin e kampionit kombëtar 2021. Në titullin e Teutës 1994 ky Martin ishte kryeshënuesi i kampionatit: 14 gola me Vllazninë. Këto janë përkimet “lojcake” të historisë…

Ajo është një Teutë që realizon pa bujë, pa marramendje, pa vetëkënaqësi, por vetëm me punë – cilësi këto që besoj se nuk gaboj kur them se më të plota se askush në gjirin e saj i mishëron presidenti Edmond Hasanbelliu. Them se ky njeri, më shumë se askush tjetër, e di mirë se çka është “Sportisti i Durrësit”. 2. Dhe mbërrij te “Sportisti i Shkodrës”, ai i cili më ngjason fort me “Sportistin e Durrësit”. Në historinë e sportit shqiptar, marrëdhëniet “Sportisti i Durrësit” – “Sportisti i Shkodrës” kanë qenë thuajse një bashkësi.

Është një dyshe që ka pasur gati një mënyrë sjelljeje, një mënyrë “Fair Play”, një ritëm sportiv tejet të ngjashëm, përfaqësuesit më të spikatur të sportit qytetar. Në një editorial të vjetër pata shkruar se Shkodra kjo ka qenë: e bashkuar, përherë e një kulture të thellë tradicionale, luajale e kryengritëse njëkohësisht, “qytet me kunora që të hodhën përkrye gur e hekurat e para” – siç shkruante Martin Camaj i madh.

Bijë e Shoqnisë “Vllaznia” ajo, në njëfarë mënyre, personifikon të parin klub sportiv shqiptar që u bë simbol i sportit kombëtar. Prej saj kanë ardhë në Shqipëri gati të gjitha sportet. Shpesh u nëpërkamb, u nënvleftësua, e pse jo, disa herë u shkatërrua duke ia marrë arbitrarisht djemtë e saj për të tjerë e duke e dënuar pa mëshirë.

E prapë ajo çonte krye falë shpirtit të saj të madh. Dhe mbijetoi! “Vllaznia” ka qenë vepër e familjeve ma të mira të Shkodrës, të cilat qysh ditën e parë të krijimit e mbajtën me shpenzimet e tyne atë: Naibi, Juka, Serreqi, Pipa, Dani, Boriçi, Ashiku, Bushati, Draçini, Saraçi, Marubi, Paluca, Kakarriqi, Kodheli, Kraja, Dibra, Hoti, Jakova, Kaduku, Paçrami, Shiroka, Logoreci, Ramadani…

Dhe si Shoqni “Vllaznia” më kujton se ndër veprat e para të saj qenë tri: hapja e nji shkolle, çelja e nji biblioteke, organizimi i nji gare sportive. “Vllaznia” më kujton se e para në Europë ka organizuar garën e parë atletike në Shqipëri (1920) dhe rrethin e parë të vërtetë çiklistik për amatorët në Europë (1925), të cilin në fjalën time si president i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, e kam vërtetuar në Kongresin Botëror të Çiklizmit në Shtutgart në 1991.

Ndërkaq, nuk mund të harrohet se Shkodra e Vllaznisë i ka dhënë Shqipërisë gazetën e parë sportive (“Gazeta e Sportit” – 1925). Por, siç thashë, “Sportisti i Shkodrës” ka kaluar përmes traumave jo fort të vogla: Në 1971, si e treta e Shqipërisë, Vllaznia do të dilte për herë të parë në Europë ku do të matej me Rapidin e Vjenës për UEFA-n. Por, shteti tha “jo”, sepse volejbollistët e saj “nuk qenë sjellë mirë” në një turne të tyre në Kosovë.

Në 1972 Vllaznia ishte kampione dhe shorti po bëhej gati t’i dhuronte Ajaksin legjendar. Po shteti tha prapë “jo”, sepse vazhdonte dënimi volejbollistik. Dhe Ajaksi kaloi turin tjetër pa ndeshje. Në 1974 Vllaznia ishte përsëri kampione. E prapë shteti tha “jo” në Kupat e Europës. Kësaj radhe jo vetëm për Vllazninë, por edhe për të gjitha klubet e tjera e deri te Kombëtarja në atë vit ‘74 të zi mbylljeje të frikshme. Në 1979 Vllaznia fitoi Kupën e Shqipërisë dhe UEFA e pamëshirshme i dha Dinamon e Moskës. E shteti si zakonisht tha përsëri “jo”, nuk duhej luajtur me revizionistët!

Pa pasur as respektin më të vogël për një Vllazni e cila vetëm një vit më parë i kishte hapur krenare dyert e Europës për Shqipërinë e futbollit me fitoren e bujshme kundër 8 kombëtarëve austriakë nën fanellat e Austrias së Vjenës – një 2-0 historik. Në 1981 Vllaznia është përsëri zotëruese e Kupës së Shqipërisë, por prapë UEFA që dënonte për shkak mosluajtjeje me Dinamon e Moskës para dy vjetësh! Në 1983 Vllaznia – kampione e Shqipërisë dënohet përsëri me mosluajtje sepse dënimi i vjetër i UEFA-s, mbetet i pamëshirshëm për te.

Në 1992 Vllaznia i rikthehet titullit kampion, por kësaj radhe UEFA dënon të gjitha klubet shqiptare me mosluajtje për paqëndrueshmëri të jetës së vendit. Më 1997 Vllaznia është nënkampione dhe UEFA dënon Shqipërinë përsëri si më 1992. Në 1998 Vllaznia i rikthehet titullit dhe tashmâ në Ligën e Kampioneve me vetëm 0-1 me Dinamon e Tbilisit, ajo shpresonte për një kualifikim të madh! Por “rasti Jahja” – emri i ngatërruar në protokollet e shndërron 0-1 në 0-3!

E kanë përjashtuar 9 herë të bukura nga Kupat e Europës! Sot, e gjithë kjo të duket pak, kur kujton se jo larg, por vetëm dy vjet parë ajo ishte skuadër e Kategorisë së Dytë të Shqipërisë. Mirëpo, ky dënim nuk vjen nga UEFA, por vjen nga FSHF-ja po aq e pamëshirshme ngaqë don vetëm 10 skuadra në kampionat! Dhe ajo sfidon po këtë FSHF vetëm mbas 24 muajve teksa ngjitet në nënkampione e Shqipërisë dhe fiton Kupën 2021.

Kjo është forca e sportit qytetar. Ky është “Sportisti i Shkodrës”. Këto ditë Vllaznia ka fituar Kupën e saj të shtatë të Shqipërisë në histori. Të parën e ka fituar në 1965 – një premierë finaleje paprecedent në historinë e futbollit shqiptar: Vllaznia – Skënderbeu 1- 0. Fusha asnjanëse e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” bëhet para 8000 shikuesve arena e evenimentit historik Shkodër – Korçë. Selami Dani, golashënues i lindur, është autor i golit historik.

Ai shënon nga afër, në të 57’ dhe Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë për herë të parë në histori. Kanë qenë: Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Sadedin Zmijani, Mehdi Milla, Nikoll Gjergji, Kol Gjoni, Esat Rakiqi, Hajro Lekaj, Mendu Dedja, Selami Dani dhe Sabah Bizi 17-vjeçar. Trajnerë: Skënder Jareci – futbolli emblemë i Dinamos. Këta ishin “themeluesit” fitimtarë të një Kupe të Shqipërisë për Vllazninë. Vllaznisë i janë dashtë plot shtatë vjet për të fituar Kupën e dytë. 1972. Viti i madh i saj. Kampione mbas 26 vjetëve dhe fituese e Kupës mbas 7 vjetëve. Është një Kupë e gjitha një risi historike: për herë të parë janë në fundoret Besa e Vllaznia.

Drama ka dy akte. I pari në Kavajë 2-0 për Besën më 9 prill 1972 dhe i dyti në Shkodër më 23 prill 1972, po 2-0 për Vllazninë në 120 minuta lojë. Mandej pesë 11-metërshat mitikë të kapitenit Ramazan Ragami – një histori e stërtreguar që vazhdon të sillet përjetë në historinë e Kupës së Shqipërisë. Me Rragamin e madh ishin edhe Z.Basha, Duraj, Lekaj, M.Dedja, R.Çanga, Ç.Ndoja, Bizi, Rakiqi, Plumbini, I.Hoxha, Koçobashi. Trajnerë Xhevdet Shaqiri dhe Xhelal Juka. Dy qytetarë të paharrueshëm të Shkodrës. Vllaznia prapë ka pritur shtatë vjet.

Deri te viti 1979 kur do të fitonte Kupën e tretë. Finalja Dinamo – Vllaznia 1-1 e 1-2. Janë dy ndeshje të rralla që datojnë më 11 dhe 18 shkurt 1979, 1-1 në Tiranë (Vukatana, Sh.Ballgjini) dhe 2-1 për shkodranët në kthimin e stadiumit që quhej “Vojo Kushi”, mbas plot 120 minutave lojë. Shënojnë Zhega e Vukatana. Ishte kjo Vllazni: Boshnjaku (Sukaj), L.Basha, Duraj, S.Çanga, H.Dedja, Bizi, Vukatana, Borshi, Hafizi, S.Gruda, Paçrami, Zhega, Axhani, Luçi. Trajnerët ishin Xhevdet Shqiri dhe Ramazan Ragami. Për Kupën tjetër Vllaznia nuk do të priste shumë gjatë. Vetëm dy vjet. Është 1981. Besa – Vllaznia 2-1 dhe 1-5. Këto janë ndeshjet e finales.

Shihet që fati i blaton po Besën e dramës së 1972-shit. Finalet i takojnë ditëve 10 dhe 14 qershor 1981. Edhe këtu ngjashmëri thuajse e pagabueshme me atë çka kishte ndodhur në duelin Kavajë – Shkodër në 1972. Në Kavajë 2-1 për Besën. Në Shkodër 5-1 për Vllazninë. Janë Kushe, F.Ragami, S.Çanga, H.Dedja, Duraj, S.Bizi, M.Vaso, Jera, Vukatana, Gruda, Luçi, Paçrami, Axhani… Për të mbërritur te Kupa e saj e pestë Vllaznia duhej të pushonte për bukur 6 vjet. Kundërshtari i finales është Flamurtari i vitit 1987 – qysh të dielën që shkoi skuadër e Kategorisë së Tretë – po që për Vlorën e asokohe më i fuqishmi në histori (Barcelona).

Humbet 3-0 në Shkodër (F.Ragami 69’, Pashaj 83’, Briza 88’). Kthimi dukej punë e një vizitë kortezie. Mirëpo, në minutën e 53-të rezultati do të shkonte çmerisht në 3-0 për vlonjatët (V.Ruci 16’, 62’, Bubeqi 53’). Askush nuk mund ta parashikonte golin e Ferid Ragamit mbas një gjuajtje të rrufeshme të tij në të 78’, teksa shihej në fushën e lojës një Vllazni thuajse e dorëzuar. Ndodhi. Dhe 3-1. Kupa e pestë për të kishte këta emra: Maliqati, H.Zmijani, H.Dedja, F.Ragami, Semaj, Pashaj, Laçja, Briza, Luçi, Bërsheni, Bushati, Vukatana, Thana, Barbullushi, Jera, Lika, Shaba, Fakja, Kepaj. Ishte Kupa e parë e trajnerit të ri Astrit Hafizi.

Kjo ka qenë Kupa historike e vitit 1987. Historike, sepse në pjesëmarrjen e saj në Kupën e Europës ajo do të shkaktonte shumë trazime: gjatë udhëtimit në Finlandë arratisen L.Bërsheni dhe portieri A.Hoxha. Mesfushori plot talent Lulzim Bërsheni, përveç të tjerave i Shqipërisë së 21-vjeçarëve, do të bëhej i pari lojtar shqiptar i Mbasluftës, i cili do të luante me një klub perëndimor (Panionios i Athinës).

Partia dënon pa mëshirë skuadrën shkodrane dhe ajo mbetej Kupa e fundit nën Regjim e Vllaznisë së Shkodrës. Ishte një fund që do të zgjaste plot 21 vjet. Do të duhej të vinte shekulli XXI. 7 maj 2008. Edhe në këtë rast ishte një mposhtje po e kryeqytetit: Vllaznia – Dinamo 4-0 e 3-0 dhe finalja në Elbasan: 2-0 me SK Tiranën (Lika 3’, Sukaj 39’) më 7 maj 2008. Një finale që gjykohej prej një gjyqtari të huaj: Babak Rafati nga Gjermania.

Dhe një Vllazni me trajner të huaj, Dervis Hadziosmanovic nga Mali i Zi, me të cilin Vllaznia ishte bërë kampione e Shqipërisë 7 vjet më parë. Emrat e fituesve janë të pashlyeshëm: Grima, Leandro, Kraja, Ahi, Ars.Beqiri, Vuçaj, Nallbani, Lici, Teli, Osja, Delain, Sinani, Kaçi, Sukaj, Lika, Hoti, Kotrri, Kapaj, E.Beqiri, Jusufi, Doçi, Hasani, Rraboshta… Kjo ishte Kupa e parë që fitohej në historinë e Shqipërisë me një trajner të huaj. Dhe do të vinim përsëri, tash mbas bukur 13 vjetëve, te një trajner i huaj. Po një sllav për kah kombësia, por një gjerman për kah identiteti europian i tij.

Është Thomas Brdaric – më parë lojtar i kombëtares së Gjermanisë. Për një çast kjo Kupë më duket se përngjason me atë të vitit 1972. Them kështu ngaqë më 1972 Vllaznia ka fituar edhe Kupën edhe kampionatin. E, sivjet, prapë në njëfarë mënyre, ajo ka “fituar” edhe Kupën edhe “kampionatin”. Ndonëse kampionatin nuk e ka fituar. E ka fituar Teuta e Durrësit. Por, edhe kështu, krejt papritmas, viti 2021 bëhet edhe ai historik për Vllazninë. Historik për dyfishin e suksesit: nënkampione – thuajse kampione – dhe fituese e Kupës së Shqipërisë.

Merreni me mend për një çast: ka kryesuar 22 javë prej të 36-ave të kampionatit, deri aty saqë në javën 17 ka qenë 9 pikë përpara Partizanit të vendit të dytë! Mirëpo, mbeteshin edhe plot 19 javë për t’u luajtur. Dhe puna mbërriti deri aty sa që në emisione televizive nuk flitej për gjë tjetër, veç për rrëzimin e Vllaznisë. Mbas kësaj goditjeje mediatike, askush nuk fliste më për të. Mirëpo, mû në këtë çast nis sulmi i dytë shkodran: 1-0 në Ballsh, 1-0 Kastriotit, 1-0 Partizanit në Tiranë, dhe kryesuese edhe ajo me 63 pikë së bashku me Teutën vetëm 90 minuta para mbarimit! Ishin tre “1-0” të paharrueshëm.

Praktikisht brenda 5 ditëve, 21-26 maj 2021, skuadra e Shkodrës kishte flakur tej dy pretendentë të cilët sigurisht kishin harruar se kjo, që ua hiqte atyre pa mëshirë çdo mundësi për titullin, ishte skuadra e cila kishte kryesuar 22 javë të kampionatit. Kaq. Dhe Teuta 66 pikë me golat 42-16, Vllaznia po 66 pikë me golat 44-22.

Kampione nuk shpallet skuadra me numrin më të madh të fitoreve (19), as me numrin më të madh të golave të shënuar (44) që ishte skuadra shkodrane, por shpallet skuadra me golavarazhin më të mirë +26 përballë + 22 të shkodranëve dhe me numrin më të vogël të humbjeve – Teuta e merituar e Durrësit. Asnjëherë Kupa nuk ka qenë kaq fort e lidhur me luftën për titullin kampion. Për Vllazninë fitimi i Kupës kësisoj ishte një zgjatje e vetvetishme e “fitimit” të titullit kampion.

Duke shkuar mandej te ndeshjet e saj të Kupës, te rezultatet e saj, befas ndodhemi përballë një rekordi unik në krejt historinë 82-vjeçare të të gjitha edicioneve të Kupave të Shqipërisë. Kështu, ngaqë Vllaznia bëhet, deri më sot, skuadra e vetme që e fiton Kupën 2021 duke i fituar të gjitha ndeshjet dhe duke mos pësuar asnjë gol. Emrat e fituesve janë: Zogovic, Imami, Adili, Gurishta, Isaevski, H.Marku, Dilaver, A.Hoxhaj, Da Silva, Krymi, Avdiaj, Kruja, Shehi, Kalaja, Isufi, Kalezic, Jonuzi, Dunga, Nya-Vedji, Cisse, Lekaj, Mandiangu, Ramadani, Çoba. Trajneri është Thomas Brdaric, të cilit, me sa dukej, ia mësoi “stilin e shkodranishtes” së futbollit, një fitues i viteve të mëparshëm, sot trajneri i dytë i skuadrës, Elvis Plori.

Me sa u pa edhe duke e “sqaruar” ndërkaq një kroato-”shqiptar” me emrin Matko Diarmatti nga Rijeka – drejtori simpatik i Vllaznisë, më parë futbollist i disa klubeve në kampionatin e Shqipërisë. Kjo ishte Vllaznia e një kolektiviteti të rrallë që përherë ka qenë karakteristikë e futbollit të saj, çka për çudi u përvetësua prej një Vllaznie të sotme “poliglote – shumëkombëshe”. Deri aty saqë nga 15 lojtarët e ndeshjes finale me Skënderbeun vetëm 3 lojtarë ishin të dalë prej Vllaznisë (Gurishta, Krymi, Kruja). 12 të tjerët nuk i ka lindur dhe as i ka formuar Shkodra.

Por, Vllaznia iu ka blatuar atyre fanellën e saj të çmueshme që i ngjiti në nënkampionë dhe fitues të Kupës së Shqipërisë. Kjo është absolutisht Kupa e parë shkodrane me më pak shkodranë në histori. Është fryt i globalizimit edhe të futbollit të sotëm. Katër prej tyre (Adili, Kalezic, Dilaver dhe Avdiaj) kanë arritur deri te fanellat e kombëtarëve 17, 19 dhe 21 vjeç të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Zvicrës, çka e përforcon tejet natyrën “europiane” të kësaj Vllaznie 2021. Është e qartë se aty, sa në skenë dhe po aq në mbrapaskenë, është një personazh tjetër i rëndësishëm: “presidenti” Alban Xhaferi, pa të cilin nuk do të mund të formohej thuajse rrufeshëm kjo Vllazni – fitimtare.

Them rrufeshëm, sepse në 2019 ishte skuadër e Kategorisë së Dytë dhe në 2020 ishte skuadra e ndeshjes për të rënë apo për të qëndruar në kampionatin e parë kombëtar. Dhe vetëm mbas 12 muajve të këtyre dy “tragjedive”, skuadra e Shkodrës është nënkampione dhe fituese e Kupës së Shqipërisë! E pritën para Bashkisë të stilit vjenez, shkodranët e saj deri në mesnatë. Dhe prapë më duhet të shkoj te përcaktimi “Sportisti i Shkodrës”.

Kjo është Vllaznia edhe e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, bijë e të paharrueshmit Vehbi Ademi – figurë e madhe e basketbollit dhe e volejbollit të Shqipërisë. Kjo është Vllaznia qytetare që edhe Shqipëria e don fort. Ashtu siç don fort edhe ajo miqtë e saj të vjetër me të cilët ka themeluar sportin e futbollin qytetar në Shqipëri: Tiranën e Durrësin, Korçën e Vlorën, Elbasanin e Kavajën, Gjirokastrën e Beratin, Fierin e Lushnjën, prej të cilëve plot shtatë nga këto qytete janë flakur tej në Kategorinë e Dytë, thjesht për shkak të një organizimi shkatërrues të kampionatit të Shqipërisë.

E tash me Vlorën në Kategorinë e Tretë! Kjo ishte një ese për futbollin qytetar, për sportin qytetar. Përmes këtyre radhëve isha dhe ishim me “Sportistin e Durrësit” dhe me “Sportistin e Shkodrës”. Dhe për një çast më pushton nostalgjia ose malli, siç thuhet në shqipet. Më duket sikur kanë mbetur vetëm këta të dy… E pra, cila është pesha e sportit dhe e futbollit qytetar në Shqipërinë e sotme?…