Çudia e shtatë javëve të para që deri këtë të shtunë që shkoi, i përkiste dyshes Bylisi i Ballshit – Vllaznia e Shkodrës, mori fund. Nga vendi i parë ku ishin, tash Bylisi zbriti në vendin e katërt dhe Vllaznia në të gjashtin. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se roli i tyre, i një shpërthimi qoftë dhe vetëm i pak javëve, të zbehet.
Madje, Vllaznia e Shkodrës, me ndeshjen e së dielës, tregoi se mbetet gjithnjë një nobilitet i kampionatit të Shqipërisë. Në ditë krize të madhe të këtij kampionati, befas ajo ia mbërriti të sjellë në stadium gati nja 7000 shikues, duke krijuar shembullin e një atmosfere fort tërheqëse e qytetare për gjithë këtë kampionat të deritashëm 2019-2020.
Pa inate, pa sharje, pa tifozë që zhvishen lakuriq, por vetëm me duartrokitje dhe etikë të lartë, nuk ka dyshim se ndeshja Vllaznia – Partizani është më e bukura e këtij kampionati. Nuk ka rëndësi rezultati, madje nuk ka rëndësi as humbja dramatike 3-1 e Vllaznisë e mbas minutës 90. Nuk ka rëndësi madje as fitorja tejet e çmueshme e kampionëve partizanas – shumë më tepër të sprovuar sesa skuadra shkodrane. Rëndësi ka se edhe në këtë kampionat fort të rënë, ka shenja se ai mund të rikthehet.
Humbi Vllaznia, teksa po kërkonte të fitonte. Humbi pikërisht për këtë arsye pra, ngaqë nuk arriti të llogariste përvojën dhe dinakërinë e Partizanit. Dhe me mallin gati të shuar të fitores, u hodh në sulm pa menduar aspak për mbrojtjen. Ndonëse përbëhet prej një brezi të ri lojtarësh, në mënyrë instinktive ajo shkoi te tradita e hershme e futbollit shkodran, çka mua më detyron t’i rikthehem portretizimit paksa “poetik” që i kam bërë para pak ditëve në “Panorama Sport”. Shkrova:
“Pa Vllazninë në luftën për titull, dijeni se Kampionati i Futbollit në Shqipëri humbet shumë. Vllaznia kur është në luftë për titullin krijon çudinat më të bukura. Ajo e humb kampionatin mbrenda në Shkodër. Ajo e fiton kampionatin jashtë Shkodrës. Ajo e fiton kampionatin kur as ti, as unë, as i treti nuk e besojmë. Ajo e humb kampionatin kur edhe më “armiku” i saj nuk e merr me mend. Ajo shpallet kampione në çastin e fundit.
Ajo e humb kampionatin qysh në javën e parë. Ajo e ndërron atmosferën katër herë mbrenda një 90-minutëshi: vranët, shi, diell, furtunë. Ajo është Vllaznia e Shkodrës që të mund, duke të lënë të kënaqesh duke luajtur futboll. Ajo kurrë nuk ta merr frymën, përkundrazi të jep ty frymë kur ti po asfiksohesh. Ajo e mbush stadiumin, edhe pse është e pesta në kampionat. Ajo është ndër të rrallat që të shtrëngon dorën edhe kur ti e ke shkatërruar mbrenda në Shkodër, qoftë edhe me hile.
Ajo e vazhdon kampionatin, edhe pse gjyqtari i vjedh 9 pikë në tri ndeshje. Ajo vë buzën në gaz edhe kur ti mendon se po qan. Nuk di a është sot më e tillë Vllaznia. Sepse, ata që drejtojnë kampionatin “e vockël” të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra, aq sa kanë denatyruar një traditë, po aq kanë denatyruar edhe Vllazninë e Shkodrës.
Ndeshja Vllaznia – Partizani, nga ana e vlerave sociale, ia arriti të mbledhë gati 7000 njerëz, t’i çlodhë, t’i dëfrejë, t’i largojë të paktën për ato dy orë, nga një mori hallesh e problemesh, nga varfëria e papunësia, nga mërzia e pakënaqësitë që drejtimet e pafrytshme të sotme ua kanë sjellë deri dhe me politizimet shpesh gati të neveritshme.
Çka mbushin faqet e gazetave çdo ditë deri me tri a katër fotografi njëherësh të lidershipit në fjalë, si të ishin aktorë të Hollivudit apo Ronaldo të Juventusit (Për fat të keq, po bëhen kaq vite, që në Shqipëri ka rënë tejet poshtë teoria dhe praktika e politikës së botimit të fotove, që dihet, është një mjet i pazëvendësueshëm i efektit gazetaresk në jetën publike. Por kjo është temë për leksione gazetarie…)…
—Të shtunën Shkodra “e re” (Sherri 21 vjeç, Shehi 22, Marku 23, Gurishta 23, Krymi 23 e më tej Lekaj 19, Zogaj 22, Pusi 21, Repaj 19 vjeç) i dha jetë kampionatit me ndeshjen e saj me Partizanin. Ajo humbi 3-1, por në thelb ajo ka fituar thellë, sepse u blatoi qytetarëve të saj një të shtunë çlodhëse, larg shqetësimeve e jetës së vështirë që ata po kalojnë.
Në të vërtetë, ajo u tregoi prishësve të pamëshirshëm se sa dëm i kanë bërë futbollit dhe kampionatit të Shqipërisë, duke shkurtuar skuadrat në vetëm 10 e duke çuar shpesh jashtë kampionatit Partizan e Dinamo, Shkodër e Tiranë, Vlorë e Korçë, Elbasan, Kavajë e Berat; pse jo, edhe Fier e Lushnjë! Kur gjysmën e të cilave, madje, i kanë ende jashtë kampionatit.
Ata të cilët prej dekadash ua kanë “rrëmbyer” kampionatet e tyre kombëtare federatave të tyre të futbollit dhe i drejtojnë në pavarësi të plotë këto kampionate. Në Shqipëri, duket që shteti, qeveria, ministria ka frikë se duke ndërhyrë po ia cenon lirinë FSHF-së, edhe pse kjo nuk mund ta ketë dhe nuk e ka pronë të saj kampionatin e Shqipërisë.
Ngaqë ai është pronë e madhe sportive dhe shpirtërore e popullit shqiptar, pronë e atyre 7000 spektatorëve shkodranë dhe e të gjithë sivëllezërve të tyre në Atdhe. Ndeshja e Shkodrës sa qe një gëzim, po aq qe një demaskim i kësaj mënyre organizative të kampionatit të Shqipërisë që në gjithë këto vite e ka varfëruar tejet atë.
Në fund të fundit, ka cenuar pikërisht qytetarinë e saj. Vllaznia – Partizani qe shembull kuptimplotë i kësaj qytetarie, duke treguar se reformimi i kampionatit të Shqipërisë tashmâ është një urgjencë. Urgjenca e parë është vendimi po urgjent i shtimit të numrit të skuadrave në 14 qysh stinën e ardhshme, atë 2020-21. Natyrisht së bashku me riorganizimin e dy kampionateve të kategorive më poshtë, siç edhe është thënë. Dhe menjëherë rithemelimi i Ligës Kombëtare të Futbollit. Qysh stinën e ardhshme, pra. Përralla e vjetruar se duhet një vit apo dy vjet përpara, janë djallëzore dhe vonesa nuk shkon me progresin, me ndryshimet me vlerë që nuk presin.
Mirëpo, për fat të keq, u pa, që këto ndryshime nuk mund t’i bëjë më Federata Shqiptare e Futbollit. I bën vetëm një forcë largpamëse qeverisëse. Ndryshe kemi të drejtë të mendojmë se dikush nuk është i interesuar të mbushë stadiumet tona, çka do të thotë se ky popull meriton të lihet në dëshpërim e mërzi, duke i kaluar të dielat e të shtunat vetëm pranë TV-së për të “shijuar” si një skllav televiziv deri dhe ndeshjet më mediokre të shteteve të tjera, jo të vetat. Kjo nuk do të ishte diçka tjetër, përveçse një lloj shkombëtarizimi “sui generis”, një lloj braktisjeje e pamëshirshme e vlerave kombëtare në këtë fushë.
Qytetet tradicionale themeluese të futbollit shqiptar kërkojnë të rikthehen në familjen e madhe të tyre. Tash për tash, një pjesë esenciale e tyre janë pjesë e familjes më të vogël të futbollit shqiptar. Madje, me frikën se në këtë “vogëlsi” mund të mbërrijë përsëri edhe Flamurtari ynë i famshëm i Vlorës apo dhe Luftëtari i mirënjohur i Gjirokastrës.
E me ta edhe një qytet i tretë. Kjo do të ishte prova tjetër e madhe e thellimit të denatyrimit të veprimtarisë më popullore sportive, po edhe shpirtërore e shqiptarëve, që është Kampionati Kombëtar i Republikës së Shqipërisë, i cili thërret: “Më jepni vendin dhe rolin që më takon tash 90 vjet!”
*Marre nga gazeta “Panorama Sport”