Gjërat janë duke shkuar keq e më keq për Çelsin me dy dëmtime të reja që i shtohen infermierisë së bluve të Londrës, të cilët kanë thuajse një skuadër të dëmtuar.
Graham Poter ka aktualisht 10 lojtarë të padisponueshëm për ndeshjen e nesërme në Kupën FA kundër Mançester Sitit, 3 ditë pasi Çelsi u mund nga kampionët e Anglisë në “Stamford Bridge”.
Rahim Sterling dhe Kristian Pulisiç lanë fushën në minutën e 6-të dhe 22- të kundër “Qytetarëve”, duke iu shtuar listës prej 8 lojtarësh të lënduar, të cilët ishin aktualisht jashtë skuadre.
Presioni mbi trajnerin është shtuar më tej, duke qenë se ka emra të rëndësishëm jashtë si portieri Eduard Mendi, mbrojtësit Ris Xhejms, Uesli Fofana dhe Ben Çiluell, por edhe N’Golo Kante, Mejzon Maunt, Ruben Loftus-Çik dhe Armando Broja, i cili ka nisur rehabilitimin pas operacionit në gju.
Çelsi ka bërë nisjen më të dobët të sezonit në Premier Ligë që prej vitit 2010, ndërsa renditet në mesin e klasifikimit me 25 pikë pas 17 ndeshjesh.
Që prej 16 tetorit, kur Poter zëvendësoi Tomas Tuhelin në “Stamford Bride”, Çelsi ka grumbulluar vetëm 6 pikë nga 24 të mundshme.
POTER – Pas humbjes me Sitin, trajneri i Çelsit pranoi situatën e vështirë në të cilën ndodhet: “Kur mendon që humbet Sterlingun dhe Pulisiçin kaq shpejt, djemtë dhanë gjithçka. Ishte një paraqitje me shpirt ndaj një skuadre të madhe, kështu që përveç rezultatit jam shumë krenar për lojtarët.
Është një moment i vështirë dhe më duhet ta pranoj. Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Ti duhet të mbash gjithnjë përgjegjësi dhe duhet të përballosh çdo stuhi dhe ruash ekuilibrin”.