Na ndajnë edhe shumë pak ditë nga ndezja e dritës së gjelbër, për të sinjalizuar hapjen e merkatos së dimrit, aty ku shumë lojtarë me peshë po e presin me padurim ndryshimin e ambientit. Potenciali i lartë në Bundesligën gjermane ka ndikuar edhe në emrat në këtë listë. Por emblema mban firmën e Kristiano Ronaldos, i cili nuk qëndron në krye të golave dhe rrjeteve sociale, por edhe të kësaj “dritareje” largimesh.

RONALDO – Mançester Junajtid-CR7 mund të quhet me të drejtë “dashuri e përfunduar”, e cila u konkretizua me prishjen e kontratës nga kampi i ekipit më të titulluar në Angli. 37-vjeçari është i lirë të zgjedhë skuadrën e re, aty ku Al Naser vazhdon të tundojë iberikasin me milionat. Gjithsesi, ambicia e Kristianos mbetet konkurrimi në nivele të larta në Europë, pavarësisht se ende asnjë skuadër nuk ka dalë zyrtarisht në skenë për të nënshkruar me të.

NKUNKU- Kristofer luan aktualisht në radhët e Lajpcigut dhe gëzon formë të mirë në aspektin individual. Megjithatë ai nuk mundi të jetë prezent në Botërorin e Katarit, si rezultat i dëmtimit në grumbullim me “Gjelat”. “Mjeshtri” i njoftimeve, Fabrizio Romano, në kohë rekord e ka cilësuar “të vulosur” nënshkrimin e transalpinit me Çelsin, ende nuk ka asgjë zyrtare nga palët përkatëse.

ENZO FERNANDEZ- “Lojtari i ri më i mirë” i turneut të fundit rrëmbeu pjesën e mbetur të projektorëve të lënë nga Lionel Mesi në triumfin e Argjentinës. Enzo është blerja e re në Lisbonë gjatë aksit River Plej-Benfika në verë. Liverpul dhe Real Madrid e kanë vendosur në shënjestër “Albiçelestin” dhe një shumë e madhe nuk mund të anashkalohet nga “Shqiponjat” e Lisbonës.

FELIKS- Ateltiko Madrid sipas njoftimeve të fundit nga “Marca” është shprehur e gatshme për ta lejuar Zhoaon të largohet në këmbim të ofertës së duhur. Sulmuesi luzitan e ka shprehur dëshirën për të ndryshuar ambient përpara Botërorit. Arsenali mban kreun e klubeve të interesuara, të cilët kërkojë të gjejnë sa më parë zëvendësuesin e denjë të dëmtuarit Gabriel Zhezus.

GAKPO- Faza e grupeve në “Katar 2022” do të sillet në qendrën e vëmendjes futbollistin e përfaqësueses “Tulipane” Kodi Gakpo. Sulmuesi i PSV-së i rriti kredencialet e veta me finalizimet radhazi, çka i ka bindur drejtuesit e Junajtid për të paguar çekun te holandezët.

SUAREZ- “Mosha është thjeshtë një numër”, fraza përkon me të ardhmen e Luis Suarez, ku pavarësisht aventurës në vendlindje, ai kërkon të vazhdojë rrugëtimin profesional në Ligën Amerikane (MLS).

AMBRABAT- Termi “luftëtar” do të ishte i duhuri për të përshkruar rrugëtimin e Sofian Amrabat me kombëtaren e Marokut në Botërorin e fundit. Totenhemi mbeti si opsion vetëm në letër gjatë merkatos së verës, por paraqitja pozitive me përfaqësuesen mund të fusë në garë shumë ekipe për të rrëmbyer shërbimet e mesfushorit të Fiorentinës.

KVARATSHKELIA- Ecuria fantastike e napolitanëve në të gjitha kompeticionet në këtë sezon i atribuohet edhe anësorit gjeorgjian Kvaratshkelia. 8 gola dhe 10 asiste është bilanci i tij në 17 takime. Edhe pse Presidenti De Laurentis ka qenë i prerë, ardhja e ndonjë oferte “faronike” nuk mund të refuzohej nga një “maniak” i lekëve si shefi i napolitanëve.

MUKOKO- Borusia Dortmund njihet për aprovimin e talenteve në arenën europiane dhe Jusuf Mukoko është njëri nga beniaminët e radhët, i cili mund të largohet nga “Signali Iduan Park”. 18- vjeçari lidhet me një kalim të mundshëm te Bajerni, gjithsesi qëndrimi i drejtuesve verdhezinj do të jetë përcaktues.

GVARDIOL- Rrugëtimi i shkëlqyer i Kroacisë mund t’i atribuohet një pjesë të suksesit mbrojtësit Gvardiol. Çelsi, Mançester Siti dhe Bajerni e kanë treguar interesin, ndonëse pretendimi i “demave” qëndron larg logjikës.