Juventusi nuk arriti të menaxhonte dot avantazhin 0-2 ndaj Udinezes në sfidën e parë të kampionatit, që përfundoi me rezultatin 2-2. Trajneri i bardhezinjve, Masimiliano Alegri, foli pas këtij takimi, teksa në prononcimin për mediat italiane ai u shpreh:
“Në përgjithësi bëmë një ndeshje të mirë, por futbolli i tillë është. Ndonjëherë ndodhin gjëra të papritura. E kishin ndeshjen nën kontroll, por nuk ditëm si të menaxhonim të papriturën. Kjo e sotmja duhet të shërbejë si mësim. Në pjesën e dytë humbëm shumë topa, mbase ishim të lodhur nga vapa, por kurrsesi nuk duhet të pësojmë gola të tillë. Ekipi u mbrojt mirë, por ky barazim le të shërbejë si mësim për ne.
Ronaldo? Unë fola me të, ai është mirë, por duke parë kushtet e të gjithëve, i thashë të qëndronte në stol, për të hyrë pjesën e dytë. Ai e vuri veten në dispozicion të skuadrës, madje arriti të shënonte, por goli u anulua nga vari. Duhet të përmirësojmë kushtet dhe të kuptojmë momentet. Ka shumë ndeshje, të gjitha do të duhet të menaxhohen.
Gafa e Sheznit? Në atë moment, hedhja e topit në tribunë nuk është turp, veçanërisht, pas një penalltie të dhuruar. Kjo ndeshje duhet t’i shërbejë edhe atij si një mësim”, u shpreh Alegri.