Egnatia vijon përgatitjet për duelin e kthimit në Conference League përballë armenëve të Ararat. 1-1 takimi i parë në transfertë, ndërkohë që djemtë e Edlir Tetovës do të tentojnë kualifikimin në ndeshjen e kthimit.
Që do të zhvillohet të enjten në “Elbasan Arena”. Ndërkohë, klubi nga Rrogozhina ka shitur një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për Michael Agbekpornun, mesfushorin me tipare mbrojtëse nga Gana.
24-vjeçari ishte ndër lojtarët më të dalluar të Egnatias në dy sezonet e fundit. Mesfushori potent është transferuar në elitën e futbollit kroat: te Slaven Belupo.
Shitja e tij i ka sjellë rreth 150 mijë euro drejtuesve të Egnatias, ndërkohë që Agbekpornu ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin ku bëjnë pjesë edhe Arbër Hoxha, Arb Manaj dhe Bujar Pllana.
“Kam hedhur një hap përpara në karrierë duke ardhur te Slaven Belupo, që e shoh si një ‘trampolinë’ për të ardhmen. E di sa i fortë është kampionati kroat dhe sa shumë punë më pret këtu.
Por, unë besoj se bashkë me shokët e skuadrës do i realizojmë objektivat e klubit. Çfarë premtoj? Do të më shihni gjithmonë duke dhënë gjithçka kam gjatë 90 minutave”, deklaroi lojtari afrikan.