Java e 31-të e Superligë do e gjejë Vllazninë sërish në “Loro Boriçi”, ku do ketë përballë Skënderbeun. Me sfidën që do luhet ditën e shtunë, kjo shihet si mundësia e duhur për shkodranët për tu rikthyer tek 3 pikë. Kjo pasi korçarët po vuajnë në fundin e tabelës me vetëm 21 pikë, kur ka edhe 6 javë për tu luajtur në kampionat.
Për kuqeblutë kjo është mundësia për tu futur edhe njëherë në garën për Europë. Kjo për të dalë nga kriza e 7 javëve të fundit, ku ekipi nuk njeh fitore në Superligë, por edhe për të përfituar nga ndeshjet e rivalëve direktë. Pasi Laçi do ketë një përballje me skuadrën e Tiranës ndërsa Kukësi po ashtu një transfertë të vështirë kundër Teutë në Durrës.
Disi më e lehtë përballja e Partizanit me Dinamon, megjithatë për blutë kjo do jetë ndeshja e fundit për të tentuar mbijetesën në Superligë. Por edhe për Skënderbeun nga ana e tyre, ndeshja me Vllazninë është mundësia e fundit. Kjo pasi një humbje në Shkodër do sillte me 99% të mundësive rënien në Kategorinë e Parë për korçarët pas një dekade të mbushur me sukese.
Me 21 pikë në llogarinë e tyre, bardhekuqtë janë 13 pikë pas Egnatias me 34, që mban vendin e 8-të dhe që luan për Play Off në fund të sezonit. Prandaj matematikisht korçarët do ishin ende në lojë në rast disfate në “Loro Boriçi”, por praktikisht do ishin të rrëzuar me vetëm 5 javë dhe 13 pikë diferencë me rrogozhinasit. Prandaj të shtunën në Shkodër luhet në dy ekstreme, në rrugën për Europë, por edhe të asaj të shpëtimit nga rënia.
Endri ÇINARI