Nëse ka një ekip që është më në formë se të gjithë skuadrat e tjera të Superligës në këto momente, ai është Laçi. Kurbinasit në këtë fund viti janë në kulmin e tyre, këtë e konfirmon edhe fitorja e katërt rradhazi në shifrat 0-2 kundër Egnatias.
Por përpara rrogozhinasve, “viktima” të bardhezinjëve kanë qenë edhe Dinamo, Tirana dhe Kukësi. Ku të besuarit e Joses kanë marrë gjithë pikët e plota. Një skuadër që tashmë është vetëm 6 pikë nga kreu dhe që është rifutur në garë fuqishëm dhe frikshëm që pas ardhjes në krye të trajnerit kryeqytetas.
Vetëm një humbje në Shkodër kundër Vllaznisë në shifrat 1-0 është “njolla” e këtyre javëve për laçianët. Me një sulm ku spikasin dyshja Zarubica dhe Guindo ku mes tyre kanë shënuar 14 gola. E po ashtu shto këtu edhe fantazinë e Mazrekajt, kurbinasit janë një kërcënim për këdo në kampionat.
Gjithashtu mesfusha me treshen e konfirmuar prej kohësh, Lushkja-Shehi-Deliu dhe mbrojtja solide e bëjnë Laçin një pretendent. Pavarësisht se deklaratat e drejtuesve dhe stafit teknik janë në doza të ulëta euforie, statistikat tregojnë që ky Laç në këtë sezon mund të pretendojë për gjëra të mëdha dhe pse jo të mos pretendojë edhe titullin kampion.
Endri ÇINARI