“Esin Hakaj, linja e përpunimit të golit në krahun e majtë. Kur kundërshtarët të harrojnë, tifozët të kujtojnë”. Ishte kjo një nga pankartat dedikuar futbollistëve të Vllaznisë mbrëmë në “Loro Boriçi”. E më konkretisht për mbrojtësin, Esin Hakaj.
25-vjeçari duket se i ka bërë gjithë për vete pas rikthimit tek Vllaznia. Rikthimi në shtëpi pas aventurave me Teuten dhe Partizanin në sezonet e kaluara , ku mëngjërashi fitoi edhe trofe dhe u shndërrua në më të mirin e pozicionit të tij në Superiore. E performancat e Hakajt kanë ardhur vetëm në ngritje që pas rikthimit tek kuqeblutë.
Edhe mbrëmë kundër Dinamos u vërtetua një fakt i tillë. Korsia e majtë, ku Hakaj ndodhet në të njëjtin krah si Latifi i sollën shumë probleme mbrojtjes dinamovite. Sulmet e thuajse gjithë takimit kanë ardhur në këtë krah për shkodranët.
I vlerësuar shumë jo vetëm për cilësitë e tij sportive, por edhe për shpirtin e garës dhe sakrificën në fushën e lojës, Esin Hakaj është një nga idhujt e tifozerisë. Madje ka nga ata që e cilësojnë si afrimin më të mirë të skuadrës.
Tani na mbetet të shohim në ndeshjet e rradhës e ndoshta të presim edhe fundin e sezonit që Hakaj të fitojë trofeun e rradhës, e kësaj here me fanellën e skuadrës së tij të zemrës, Vllazninë.
Endri ÇINARI