Vllaznia mori një fitore me “zemër në dorë” në ndeshjen e fundit kundër Kukësit. Shkodranët triumfuan në shifrat 2-1 falë një goli të shënuar në sekondat e fundit nga Mehdi Çoba. Fitore emocionuese, kjo jo vetëm për faktin se kur erdhi, por edhe për marrjen e vendit të tretë nga ana e shkodranëve. Pozicion që të dërgon automatikisht në kupat e Europës.

Por nëse vëmendja e të gjithëve shkoi tek autori i golit, Çoba në ato momente. Për aksionin që solli atë gol duhet vlerësuar edhe një futbollist tjetër. Fjala është për Elvedin Heriç. Mesfushori boshnjak i ardhur me bujë në fillimin e sezonit, ku shikohej si një lojtar që i mungonte prej vitesh Vllaznisë, nuk dha atë çfarë pritej nga ai përgjatë sezonit.

Por në ndeshjen e fundit kundër Kukësit, tregoi shumë nga klasi i tij. Pasimi në drejtim të Çobes që prezantoi sulmuesin vetëm me portierin Xhika ishte me të vërtetë i një niveli të lartë. Në një “trafik” futbollistësh, 24-vjeçari arriti të gjente dhe shërbente në mënyrën më të mirë të mundshme shokun e tij.

Një pasim dhe një nivel që pritej prej shumë kohësh nga Heric në kampin kuqeblu. Besimi nuk i ka munguar gjatë javëve të shkuara, por performancat jo në nivelin e duhur kanë bërë që mesfushori më shumë të qëndrojë në stol.

Tashmë në fundin e sezonit, ku përpara është edhe finalja e kupës kundër Laçit, niveli në rritje i boshnjakut duket se kënaq të gjithë.
Endri ÇINARI