Prej më shumë se një muaji doli lajmi se Superliga e futbollit në vendin tonë do startojë në datën 18 gusht. Dhe pas nisjes së saj, do hapnin me rradhë aktivitetet për sezonin 2024-25 edhe Kategoria e Parë dhe e Dytë e deri tek Kategoria e Tretë. Por duket se tifozët e kampionatit tonë duhet të presin më shumë për të parë skuadrat e tyre në fushë.

Kjo sepse për momentin Superliga është në “black-out” televiziv. Asnjë televizion i vendit tonë apo paketë dixhitale nuk ka blerë të drejtën e transmetimit të kampionatit. U diskutua dhe u mendua se e drejta ekskluzive për transmetimin e kampionatit do i jepej TVSH. Por duket se FSHF është “penduar” dhe e ka ri hedhur në ankand të drejtën televizive të Superligës.

Për shkak se ofertat për ta blerë të drejtën e transmetimit të kampionatit janë të ulëta, ka bërë që për momentin FSHF të mos zyrtarizojë asnjë marrëveshje. Një situatë e tillë ndodhi edhe sezonin e kaluar, ku vetëm në ditët e fundit kampionati kishte një “zot” për sa i përket transmetimit të tij. Patjetër një situatë e tillë do bëjë që kampionati të shtyhet.

Kështu që nga data 18 gusht që është ende data zyrtare e nisjes së edicionit. Superliga do startojë në datën 24 gusht dhe kjo me shpresën që deri në ato momente të gjendet edhe transmetuesi ekskluziv i Superiores. Ndryshe do ketë zvarritje të tjera ose futbolli ynë do kthehet vite pas, ku ndeshjet kishe mundësi t’i shijoje vetëm në një mënyrë, nga shkallët e stadiumeve.
Endri ÇINARI