Me finalen e Kupës së Shqipërisë, të luajtur të martën në stadiumin “Air Albania”, u mbyll sezoni futbollistik 2021 – 2022. Tirana u shpall kampione e Shqipërisë për herë të 26-të. Me meritë të plotë. Me një skenar të ëndërruar nga tifozët e saj, skenarin e derbit në “Elbasan Arena”.

Partizani shënon i pari dhe Tirana e përmbys duke vulosur titullin kundër rivalëve të përjetshëm. Një hakmarrje e ëmbël, e servirur në një pjatë të ftohtë, e asaj që ndodhte në “Selman Stërmasi” tri vite më parë, kur Partizani mundte bardheblutë dhe festonte po në javën e 33-të, po në derbi. Tirana ua bëri ëndrrën realitet tifozëve në një ndeshje spektakolare. Tirana do të marrë pjesë në Champions League, duke e nisur nga turi i parë kualifikues.

Do të jetë përfituesja më e madhe nga të gjitha skuadrat shqiptare në Europë. Edhe në rastin më të keq, duke i humbur të gjitha ndeshjet, i ka të sigurta 810 mijë Euro në arkën e saj. Laçi, nënkampion i Shqipërisë. Për hëre të parë. Dhe kjo përbën një arritje historike për kurbinasit. Do ta nisi Europën nga turi i parë në Ligën e Konferencës. Partizani e përfundoi kampionatin në vendin e tretë. Trajneri Dritan Mehmeti bëri një punë të shkëlqyer duke arritur objektivin e klubit. Edhe të kuqtë do ta nisin Europën nga turi i parë në Ligën e Konferencës.

Vllaznia fitoi të martën Kupën e Shqipërisë, për të dytin vit radhazi, për herë të tetë në histori. Klubi do të shpërblejë lojtarët dhe stafin teknik me një premio prej 100 milionë lekë të vjetër. Për fitimin e Kupës klubi merr nga FSHF-ja vetëm 50 milionë lekë të vjetër si shpërblim. Do ta nisi Europën nga turi i dytë në Ligën e Konferencës. Dhe për pjesëmarrjen, Vllaznia i ka të sigurta 450 mijë Euro nga UEFA. Këto ishin verdiktet e pjesës së sipërme të tabelës.

Po në mes të tabelës? Kukësi mbeti jashtë Europës, por e fitoi kampionatin e tij. U bë me stadium. Dhe pas shumë vitesh larg tifozërisë së tij, tani do të ketë mundësi të luajë në shtëpinë e tij. Një plus i madh. Teuta, kampionia e vjetshme, mbeti edhe ajo jashtë Europës. Duke iu bashkuar një zakoni të keq të tre viteve të fundit: Atij të kampionit që humbet Europën sezonin pasardhës. Një zhgënjim i madh për Durrsakët.

Kastrioti i Krujës shkëlqeu në dy fazat e fundit. Tregoi që është një “kockë” shumë e fortë dhe është me meritë të plotë në elitën e futbollit shqiptar. Egnatia do të qëndrojë edhe një sezon mes më të mirëve. Mundi bindshëm Korabin në play-off. Qëndrimi në superior, sukses i padiskutueshëm. Po poshtë tabelës? Dinamo dhe Skënderbeu zbritën një kategori më poshtë. Keqardhje e madhe. Dy emra të mëdhenj të fubollit shqiptar. Dinamo shpenzoi miliona dhe pagoi me korrektësi absolute paditurinë dhe çorganizimin. Duhet të jetë rast shumë i rrallë në botë. Skënderbeu paguan faturën e një dënimi 10-vjeçar nga UEFA. Dënim pa prova, pa fakte, pa asgjë.

Ky sezon futbollistik u mbyll me një autogol spektakolar të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ajo nuk akreditoi gazetarët e gazetës së vetme sportive në Shqipëri “Panorama Sport” për finalen e Kupës së Shqipërisë. Natyrisht që Shoqata Shqiptare e Shtypit Sportiv, anëtare me të drejta të plota e AIPS-it (International Sports Press Association), e dënoi me forcë këtë veprim sa arbitrar, aq edhe qesharak. Një autogol spektakolar! Kështu ndodhi edhe për ndeshjen miqësore Shqipëri vs Gjerorgji në muajin mars.

Pra, kemi të bëjmë me një rast që përsëritet për të dytën herë radhazi. E para, ky refuzim është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, në rastin konkret “pengim i ushtrimit të detyrës”. E dyta, po heqim një paralele, është njësoj sikur Federata Franceze e Futbollit mos akreditojë gazetarët e “L’Ėquipe” për finalen e Kupës së Francës. Nuk ndodh kjo, kurrë. Në asnjë rrethanë. Kurrë. E treta, vetëm pak ditë më parë UEFA akreditoi 5 gazetarë të “Panorama Sport” për finalen e Ligës së Konferencës që u zhvillua në Tiranë.