Situatë aspak e mirë ajo që po përjeton Sidrit Guri te Ostende. I transferuar në skuadër për të qenë sulmuesi titullar, kampionati i nisur si zgjedhje e parë dhe tashmë shumë luhatje në formë dhe paraqitje, por çështja më problematike janë aktivizimet e pakta.
Në ndeshjen, ku Ostende barazoi 0-0 në fushën e Lokerenit, djaloshi nga Shkodra qëndroi gjatë gjithë kohës në stolin e rezervave. Një “spektator” në skuadër, në një situatë të pazakontë, kur mendon se në ndeshjen e kaluar ai u aktivizua si titullar.
Por, në humbjen 4-0 që Ostende pësoi në shtëpi përballë Gentit, Guri u zëvendësua menjëherë pas fundit të pjesës së parë të lojës.
Problemi më i madh me sulmuesin është minutazhi i javëve të fundit. Në katër ndeshjet e fundit të Ostendes, duke llogaritur edhe qëndrimin në stol ndaj Lokerenit, sulmuesi është aktivizuar në total më pak se 90 minuta.
Goli i fundit i realizuar nga Sidrit Guri është ai i 26 shtatorit, ku ekzaktësisht një muaj më parë shënoi në Kupën e Belgjikës, në fitoren 3-1 me Hogstraten. Ndërkohë, në kampionat, goli i mungon prej afro katër muajsh, me rrjetën e fundit që e ka shënuar më 5 gusht në humbjen e thellë 5-2 ndaj Anderlehtit.
Situata te Ostende dhe aktivizimi i pakët, i ka kushtuar sulmuesit edhe vendin në Kombëtare, me trajnerin Panuçi që nuk preferon më ta ketë mes alternativave./sport-ekspres/