Dinamo ka marrë sot një fitore shumë të rëndësishme përballë Erzenit, teksa është larguar nga zona e ftohtë e klasifikimit dhe aktualisht e sheh veten në garë për “Fonal Four”. Një fitore e papritur po të merret parasysh ajo që dhuroi skuadra kryeqytetase në orën e parë të lojës.
Për 60 minuta, skuadra e drejtuar nga Dritan Mehmeti thuajse nuk ishte në fushën e lojës, pasi vetëm Erzeni krijonte raste të rrezikshme duke gjetur përballë Salin e pakalueshëm. Por një karton i kuq i Atandas ndryshoi gjithçka, pasi blutë gjetën hapësirat që u mungonin dhe dolën përpara.
Dhe me gjuajtjen e parë në portë të tyre, në minutën e 74 të duelit, erdhi goli i vetëm i sfidës, i shënuar nga Hoxha, i cili i siguroi tre pikë të rëndësishme ekipit që u largua kësisoj nga zona e ftohtë e klasifikimit dhe tashmë e sheh veten momentalisht në garë për “Final Four”.
DINAMO-ERZENI 1-0
74′ Hoxha