Ca fjalë përpara se të nisni vulgun e baltën mbi mua për shkak se ndoshta nuk mendoj si ju, por në princip të gjithë bashkë ndajmë të njëjtin mendim!

Krimet dhe genocidi serb në Kosovë janë gjurmë të zeza të historisë, thellësisht të dënueshme në opinionin publik mbarë botëror, e ndoshta, ende jo plotësisht të dënuara nga drejtësia ndërkombëtare! Por ky është diskurs tjetër.

Por, por: Rëndom dhe përherë, si një recetë fikse, atë që nuk ka mundur dot ta evolojë dhe progresojë politika dhe diplomacia, shpesh e përherë në ndihmë është thërritur sporti, e mbi të, futbolli! Ky është fakt! Jo opinion!

E në këtë situatë, kur UEFA i beson organizimin e një eventi  europian Shqipërisë dhe Serbisë, me finalen në Tiranë (jo në Beograd), kjo nuk është thjesht dhe vetëm një mundësi sportive, por mbi të gjitha një urë e fortë komunikimi nëpërmjet futbollit, për të rrëzuar sado pak një barrierë tensioni në rajon.

UEFA vendosi t’ia besojë Shqipërisë dhe Serbisë këtë Europian U-21, edhe për të qenë më në avangardë duke kontribuar sado pak a sado shumë në zbutjen, luajalitetin, klimën jo fort komode, apo edhe mbingarkesën emotive konstante në rajon dhe mes tre shteteve Shqipëri-Kosovë-Serbi, nëpërmjet një eventi të futbollit. Atë që politika, apo vullneti botëror i diplomacisë nuk e bëjnë dot me shpejtësinë e magjisë së futbollit, dhe që kanë vite e do tu duhen shumë të tjera të arrijnë paksa progres.

Duke njohur realisht këtë raport ende delikat në rajon mes kufinjve, në perceptimin tim, UEFA e vuri mbi stadin e rëndësisë së eventit logjikën e vendimmarrjes, duke ditur të gjithë back-groundin historik.

Këto ulërimat pafund në Kosovë, pas shpalljes se organizimit të këtij eventi nga Shqipëria dhe Serbia, se mbi këtë gjë përdhoset lufta e sakrifica e asaj pjese të zezë të genocidit serb në Kosovë janë thjesht dhe vetëm shpërthime emotive dhe nuk shërbejnë aspak në atë që duhet ta jetë qasja e popujve në Ballkan dhe në këto kufij!

E ritheksoj: Askush nuk ka tagrin ta anashkalojë historinë. Ajo është pasqyrë e kurrikulave të historisë dhe e trashëgimisë së saj. Krimet serbe botërisht të njohuara dhe të dënuara I përkasin asaj pjese të errët të Rajonit.

Por, që Shqipëria dhe Serbia bashkëorganizojnë një fazë finale Europiani, ky nuk është krim kundër njerëzimit, por një mundësi reale për të transmetuar një tjetër perceptim mes klimës në rajon, e duke tentuar ta stabilizojë atë, por jo duke e harruar historinë. Kurrsesi!

Heronjtë e rënë në Kosovë për të luftuar mizorinë serbe në marrinë e atyre viteve dhe për ti dhënë liri e mëvetësi Kosovës nuk e sakrifikuan gjakun që popujt e vendeve më pas të vriten e të përplasen për vite e vite e vite.

Dhe të mendosh që ta përdorësh këtë ekstrakt  për të goditur këtë mision të UEFA-s për ti shërbyer uljes së barrierave emotive në rajon është një dicka aspak në respekt të këtij shteti dhe historisë që ai mbart! Në mendimin tim!

Marrja e organizimit të Finaleve të një Europiani do të thoshte dikush mund të merrej edhe me Kosovën. Padiskutim që po. Por, që për momentin Kosova nuk është ende gati në infrastrukturë sportive dhe jo vetëm. Në një moment të dytë, do të ishte patjetër një opsion brilant. Por, bashkë-organizimi me Serbinë nuk është kurrsesi provokim mbi historinë apo përdhosje mbi të kaluarën, por një mundësi më shumë, e drejtpërdrejtë për të ulur tensionet dhe për të patur ura më të afërta komunikimi e bashkëpunimi! Dhe për këtë UEFA meriton respekt, stimë dhe vlerësim ndërkombëtar! Pasi po I shërben një kauze akoma më madhore se sa një fazë finale europiani!

Dhe nëse realisht do të mendohej që me këtë event përdhoset ajo pjesë e historisë që lakohet e stërlakohet atëherë

  1. Nuk po i luajmë ndeshjet me Serbinë këtë vit në grup eleminator
  2. Nuk ka pse luhet futboll në mes Serbisë dhe pjesës shqiptare të Zvicrës (që u luajt)
  3. Jokic në NBA, apo Xhokovic në Tenis ti bëjmë black (edhe pse jam I bindur që Xhokovic ka shumë simpatizantë edhe në Kosovë)
  4. Vedat Muriqi luajti për shumë kohë me Rajkovic, portierin e Serbisë që iu hodh në fyt Granit Xhakës kundër Zvicrës se ishte kundër shqiptarëve dhe lojtarë të tjerë serbë te Mallorca, bashkëpunimi në futboll, gjithmonë ka ekzistuar, në një formë a tjetër.
  5. Shkëmbimet ndërtregtare të vendeve ti frenojmë një herë e përherë
  6. Ta ndalojmë dialogun politik mes shteteve me partnerët madhorë
  7. Apo të tjera e të tjera e të tjera që mbase s’më vijë ende në mendje
  8. Dhe të ndezim fitilin e vrasjes, barutit dhe tensionit mes popujve…

Do të luhet futboll o njerëz të mirë e të paqtë! Kaq. Disa ndeshje në Serbi, disa të tjera në Shqipëri. Do të luhet top! Me një finale në Tiranë, dhe me shpresën që kjo gjë të shërbejë sado pak në menunë e dialogut dhe c’tensionimit të klimës. Por, parë e servirur e sulmjuar që në embrion sic edhe ka nisur është thjesht e vetëm një fitil më shumë, por këtë radhë paksa I lagur.

Respekti, sakrifica, gjaku I derdhur I heronjve dhe luftëtarëve të Kosovës do të mbeten në majën e majën e historisë së gjithë shqiptarisë në betejën e tyre për këto ditë të lira e sovrane të këtij shteti.

Por po flasim për një turne futbolli, jo për një garnizon lufte! Ta mbështesim këtë vendim të UEFA-s që i ka shërbyer një kauzë vërtetë sensitive!

Respekt! Për të mirën e lojës, dhe për paqen mes popujve!