Besnik Hasi ka qenë kandidat i përhershëm për Kombëtaren shqiptare, edhe pse kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u mërzit kur ai e refuzoi pas largimit të De Biazit nga drejtimi, për shkak se asokohe sapo ishte shpallur trajneri i vitit me Anderlehtin në Belgjikë dhe klubi i rinovoi kontratën me shuma të kënaqshme.
“Panorama Sport” mëson se është rikthyer sërish në skenë emri i tij dhe Duka është duke e menduar seriozisht që t’ia besojë ishkapitenit të Kombëtares stolin.
Gjatë karrierës së tij Hasi ka drejtuar Anderlehtin, Olimpiakosin, Legian e Varshavës dhe Al-Ahli.
KANDIDATËT E TJERË
Hasi nuk është i vetmi kandidat potencial për të marrë drejtimin e stolit kuqezi dhe për të zëvendësuar Edi Rejën, që me shumë mundësi do ta mbyllë pas dy miqësoreve të nëntorit.
Në ditët e fundit gazeta, sipas burimeve pranë kreut të FSHFsë, ka rreshtuar edhe disa emra të cilët përfliten për të marrë drejtimin e Shqipërisë.
Esteban Kambiaso është një prej tyre, ish-lojtari i Interit dhe Realit ka qenë në Tiranë për këtë arsye dhe ka darkuar me Dukën, por deri tani nuk dihet nëse palët janë dakordësuar për një gjë të tillë.
Argjentinasi 42-vjeçar ka punuar si ndihmës në stafin e Kolumbisë gjatë Botërorit 2018, ndërkohë që sot është analist te Sky Sport”.
Një tjetër emër është ai i Marko Xhampaolos, edhe pse ai mund të jetë një dëshirë e madhe për kreun e FSHF-së, që ka një simpati për ish-trajnerin e Milanit, Sampdorias dhe Torinos, sjellja e tij në Shqipëri është një operacion i vështirë dhe i kushtueshëm.
Aktualisht 55-vjeçari është pa ekip, teksa mbylli bashkëpunimin një muaj më parë me Sampdorian që e zëvendësoi me Stankoviçin.
Një italian po ashtu ka dalë në skenë ditë më parë. Bëhet fjalë për Luixhi di Biaxhon, i cili ka pasur edhe një ofertë më përpara nga FSHF-ja për t’u emëruar si drejtor teknik, pas largimit të Kamolezes.
Ndërkaq, tani, ishlojtarit të famshëm të kombëtares italiane, i cili ka drejtuar edhe ekipin U-21, i ka dalë emri si një nga kandidatët e stolit kuqezi.
Teksa Shqipëria do të luajë dy miqësore për pak ditë, stoli i Kombëtares zien për emrin që do të drejtojë në të ardhmen përfaqësuesen.