Kaio Zhorzh është një futbollist i Juventusit zyrtarisht. Këtë fakt e ka konfirmuar vetë uebsajti dhe presidenti i Santosit, por klubi bardhezi, duke qenë i kuotuar në bursë, nuk mund të bëjë zyrtare asgjë derisa futbollisti të kalojë vizitat mjekësore dhe të hedhë firmën në kontratë, e cila do të jetë 5- vjeçare, ndonëse detaje për rrugën nuk ka për momentin, edhe pse shifrat që përfliten janë 2 milionë euro në vitin e parë, por me një rritje të mëtejshme sezon pas sezoni.
FLET RUEDA
Për sa u përket shifrave të transferimit, ai që ka konfirmuar ato që u bënë të ditura që të premten janë ekzakte: 1.5 milionë euro menjëherë pas firmës, 1.5 milionë të tjera verën e ardhshme, plus 1 milion në formë bonusi, nëse Juventusi kualifikohet për në Ligën e Kampioneve për sezonin 2022-2023.
Në të njëjtën kohë, Santosi ka ruajtur edhe një kuotë prej 5 për qindësh, në rast të një shitjeje në të ardhmen të Kaio Zhorzh nga Juventusi.
Gjithsesi, përveç këtyre, presidenti i klubit brazilian, Andres Rueda, ka dhënë edhe disa detaje të tjera lidhur me bisedimet e javëve të fundit, derisa erdhi edhe marrëveshja mes 19-vjeçarit dhe “Zonjës së Vjetër”.
“Një aksionar i klubit tonë disa ditë më parë doli nëpër media duke thënë se kontrata e Kaios me ne përfundonte në vitin 2023, por nuk ishte e vërtetë.
Ajo skadonte më 31 dhjetor dhe duke parë kohët ne na duhej të pranonim ofertën e Juves, duke qenë se edhe vetë lojtari kishte rënë dakord tashmë. Në janar 2021 ne provuan që t’i ofronin një rinovim që na dukej i parefuzueshëm:
20 për qind të shumë së një shitjeje në të ardhmen lojtarit, 20 për qind menaxherit të tij dhe 60 për qind të kartonit do ta mbanim ne, plus një klauzole prej të paktën 15 milionë eurosh si çmim transferimi të tij.
Por, kur Kaio na komunikoi se nuk donte të firmoste, ne u vumë në punë për të gjetur një zgjidhje. Ofertën e parë e bëri Benfika, por patëm probleme ekonomike me ta. Më pas erdhi Juventusi, i cili mes një vlere direkte dhe bonuseve deri në verën e ardhshme, prej 4 milionësh në total, na bindi që të pranonin.
Në të njëjtën kohë me kemi ruajtur edhe një 5 për qindësh të vlerës në rast të një shitjeje në të ardhmen të sulmuesit, plus të drejtën për të qenë skuadra e parë që do të dëgjohemi, në rast se Juventusi do të dojë ta huazojë në një të ardhmen, nëse lojtari do të kërkojë rikthimin në Brazil”, qartësoi presidenti i Santosit.
IDHULLI FIRMINO
Kaio Zhorzh është 19 vjeç, një pykë elegante prej 182 centimetrash, i cili përveçse të lëvizë në zonën rivale, i pëlqen që shpesh të luajë edhe jashtë saj, duke bërë organizatorin e sulmit meqenëse se ka një dozë të lartë teknike.
Futbollisti më i ri i Juventusit ka lindur në një qytet të vogël, Olinda, dhe u rrit nën imazhin popullor të Nejmarit, por për disa të tjerë ishte edhe “Aleksandre Pato i ri”. Gjithsesi, këto ishin ato çfarë mendonin fansat e tij dhe media, pasi në të vërtetë idhulli i Kaios ishte Roberto Firmino, ndonëse sulmuesi aktual i Liverpulit luajti te Figueirense, nga e cila u largua në vitin 2010, për t’u transferuar fillimisht në Gjermani, e më pas në Premier Ligë.
Kaio gjithashtu e ka futbollin në gjak, duke qenë se babai i tij, Horge Ramos, aktualisht 41-vjeçar, ka pasur një eksperiencë të gjatë në Brazil, ndonëse maja e karrierës së tij ishte transferimi në vitin 2001 te Vasko da Gama ku luajti për vetëm 6 muaj. Gjithsesi, 19-vjeçari e ka kaluar që tani të atin…
REKORDE DHE KUAJ Nëse Kaio Zhorzh mori shumë shpejt pseudonimin e “Nejmarit të ri” dhe për më tepër në vitet e fundit ka pasur edhe një sponsor të fuqishëm si Pele, që nuk i ka kursyer komplimentet, kjo erdhi edhe si pasojë e debutimit të tij mes profesionistëve shumë, po shumë i ri:
16 vjeç, 8 muaj e 6 ditë. Talenti i tij kishte rënë në sy që 5 vite më parë, teksa mes grupmoshave U-11 dhe U-17, ai numëronte 125 gola të realizuar dhe kaq mjaftoi që të fitonte pseudonimin “Menino de Ouro” ose “Djaloshi i artë”. Gjithsesi, sa më shumë ndeshje që Kaio luante, aq më shumë pseudonime nisën t’i faturoheshin atij, teksa një tjetër dhe i fundit deri në pritje për të zbarkuar te Juventusi është “Rrufeja”.
Arsyeja, shënoi një gol pas vetëm 11.4 sekondash kundër Gremios në Kupën Libertadores 2020, e cila e transformoi adoleshentin në goleadorin e pestë më të shpejtë të historisë së Ligës së Kampioneve në Amerikës së Jugut, ndonëse ai ishte goli më i shpejtë i turneut nga një futbollist brazilian.
Por, Kaio është edhe më shumë se kaq, duke qenë se ai edhe pse shumë i ri e ka një Kupë bote mbi shpatulla, atë të fituar në vitin 2019 me Brazilin U-17, kompeticion në të cilin u shpall edhe golashënuesi më i mirë me 5 realizime.
Shkurt, Juventusi duket se ka bërë të vetin një hamshor brazilian, që shkon për shtat edhe me pasionin e Kaio Zhorzhit për kuajt e racës. Nëse sheh “Instagram-“in e tij, përveç makinave të luksit mbizotërojnë edhe kuajt, teksa me anë të një postimi ai pranon: “I vogël ëndërroja të kisha një kalë dhe sot falë Zotit kam dy shumë të bukur”.
Dhe mes ditës së sotme ose maksimumi nesër, të gjithë tifozët e Juventusit presin të përqafojnë me shpresa të mëdha edhe sulmuesin e radhës që do t’i bashkohet artilerisë së rëndë si Ronaldo, Dibala, Kieza, Morata, Kulusevski e Bernardeski.