Me bllokimin që UEFA i bëri merkatos së Çelsit, e ardhmja e Elseid Hysajt ka mbetur në dyshim tashmë duke qenë se blutë e Londrës do ta kenë të pamundur që të afrojnë lojtarë deri në merkaton e verës 2020.

Mbrojtësi që nuk po arrin të tregojë vlerat e tij reale te Napoli që pas emërimit të Ançelotit në krye të stolit, ka vazhduar të mendojë seriozisht largimin për një tjetër skuadër te e cila mund të rikthehet në formën e dikurshme.

Mediat italiane kanë nisur tashmë duke aluduar në lidhje me të ardhmen e Hysajt dhe gjithçka rreth transferimit të tij e lidhin me të ardhmen e trajnerit Mauricio Sarri i cili duket se nuk e ka të gjatë në Londër. Paraqitjet e fundit që po bën Çelsi, i ka detyruar drejtuesit të mendojnë për një tjetër trajner ndërkohë që për Sarrin ka interesim nga Italia.

Pikërisht ky interesim që bëhet për Sarrin, lidhet edhe me Elseid Hysajn. Sarri mund të firmosë së shpejti në kampionatin italian nëse largohet nga Anglia dhe dy destinacionet e mundshme janë Interi dhe Roma. Te cilido ekip që Sarri do të firmosë, kushti është i njëjtë: Elseid Hysaj duhet të firmosë aty.

Duke ditur sistemin e lojës me të cilin Sarri luan, Hysaj mund të kthehet në liderin e skuadrës prandaj gjithçka do të qartësohet pasi Sarri të largohet nga Çelsi dhe të marrë drejtimin e një skuadre tjetër. /VipSport/