Partizani shet në Ukrainë mbrojtësin e krahut dhe një nga liderët e ekipit, Andi Hadroj. Gazeta zbulon se klubi i kuq ka gjetur marrëveshjen përfundimtare me skuadrën e Superligës ukrainase, Polisia Zhytomir, që aktualisht renditet në vendin e katërt pas 13 javësh të zhvilluara.

SHIFRAT – Mësohet se Partizani ka përfituar 150 mijë euro nga shitja, por gjithashtu ka mbajtur 20% të kartonit të lojtarit në rast të një shitjeje të radhës nga ukrainasit. Duhet thënë se për një lojtar të Kombëtares këto shifra operacioni konsiderohen të ulëta, por në klub kanë arsyetuar edhe mbi dëshirën e lojtarit për të bërë një hap të madh jashtë vendit. Partizani në të shkuarën ka refuzuar oferta që shkonin deri në 350 mijë euro për mbrojtësin. Nga ana tjetër, Hadroj ka firmosur një kontratë 3.5 vjeçare, nga e cila do të përfitojë një pagë prej afro 12 mijë eurosh në muaj, plus bonuse të ndryshme në varësi të arritjeve të tij dhe skuadrës. Vlera e Hadrojt në merkato sipas “Tranfermarkt” është 400 mijë euro.

“BOSHLLËKU” – Mbrojtësi është kontigjent i Kombëtares dhe i vetmi lojtar i kampionatit tonë që ka arritur të bindë Silvinjon për ta thirrur në Kombëtare. Në javët e fundit nuk është aktivizuar për Partizanin edhe për shkak të negociatave mes klubeve, që u finalizuan vetëm ditën e djeshme. Largimi i Hadrojt lë një boshllëk të madh në ekip, si sa i përket cilësive dhe lidershipit.

SUKSESET – 25-vjeçari ishte një nga mbrojtësit e krahut më të mirë të kampionatit dhe gjatë qëndrimit të tij 3-vjeçar te Partizani ai arriti të fitojë një titull kampion dhe një Superkupë, teksa falë cilësive të tij e ngriti veten në stadin e më të mirëve të kampionatit. Hadroj grumbulloi në total 108 ndeshje me fanellën e kuqe duke u aktivizuar 8919 minuta. Mbrojtësi i djathtë regjistroi 14 asiste dhe vetëm 1 gol si “dem”. Ai mbërriti te Partizani në janar të vitit 2022 nga Bylisi.

30

NË MERKATO – Me ikjen e Hadrojt të kuqtë do të duhet të mbështeten në emra të rinj. Në ndeshjet kur Hadroj ka munguar, trajneri Veselinoviç ka preferuar Bytyçin para Osmanllarit, që e ka rolin e tij natyral. Me siguri Partizani ka nisur që tani kërkimet për firmën me një mbrojtës të djathtë, që mund të mbulojë hapësirën e lënë nga Hadroj. Tregu vendës nuk premton shumë dhe nisur edhe nga rregullorja e re për të huajt, të kuqtë pritet të përqendrohen në këtë treg në kërkimet dhe studimet e tyre.