Opinion nga Pjerin MIRDITA
Unë mbaj mend një Vllazni tjetër. Unë mbaj mend lojtarë që luanin për fanellën dhe tifozët. Unë mbaj mend Vllazninë spektakolare dhe dëfryese. Unë mbaj mend Vllazninë e trofeve dhe golave të shumtë. Unë mbaj mend Vllazninë e zhgënjimeve dhe gëzimeve. Unë mbaj mend Edi Martinin që shënonte kur dhe si i donte qejfi, trajektore të cilat kanë shtangur gjithë portierët e Shqipërisë. Unë mbaj mend shpërthimet dhe golat me thasë të Viorit, mbaj mend Gjergj Shllakun,që ishte aq i shpejtë saqë nuk kishte nevojë të vraponte. Armando Cungun që pak vraponte, por që nuk gabonte kurrë një top nga 60-70 metra. Alban Nogën që elegancën e thurte me forcën, Astrit Premcin që nuk guxonte t’i afrohej njeri, Ilir Dibrën që fluturonte kundërshtarët në ajër, Suad Licin që krahun e bënte kanal, Elvin Beqirin që në debutimin me kombëtaren dukej si më veterani, Luan Zmijanin që krahun e djathtë e kishte pronë të tijën, Saimir Patushin që për një sezon ishte idhull në Shkodër. Mbaj mend bërrylat e Perloshit, hapin e Sasha Delain, mushkëritë e Xhahysës i cili vraponte sa për 3 lojtarë, shputën e Kërstaiç kundër Fortuzit, 6 golat në ndeshjen e fundit kundër Shkumbinit kur u shpallëm kampion për herë të fundit, fantazinë e Bokotolës, driblimet e Abilios, sakrificën e Duros kundër Partizanit, parullën “Duart lart Partizani se erdhi shkodrani” në “Qemal Stafa”, stadiumin “Loro Boriçi” që nuk kishe vend as në këmbë të qëndroje, penalltinë e humbur nga Osmani kundër Dinamos, rrëzimin e Partizanit në kategorinë e dytë duke ia lënë ndeshjen Elbasanit, finalen e kupës të humbur kundër Besës, shpirtin e Safet Osjes, galopimet e Ahit, rroveshatën e Salihit nga jashtë zonës kundër Tiranës, maturinë e Bejzades, predhat e Sukajt, depërtimet e Vajushit, dyluftimet e Rajoviçit, teknikën e Gilman Likës. Mbaj mend fytyrën e Myftar Çelës në tribunën VIP, burrërinë e Ramadan Shehut, kryeneçësinë e Hysen Dedjes, ulërimat e Schulzes, njërzillëkun e Medin Zhegës, zotnillëkun e Astrit Hafizit, seriozitetin e Mirel Josës, profesionalizmin e Agim Canajt, punën e Haxhiosmanoviçit. Mbaj mend shumë gjëra, që normalisht duhet një roman i tërë për t’ i kujtuar. Vllaznia githmonë ka prodhuar fakte dhe ndodhitë nga më të ndryshmet, të cilat ia vlen gjithmonë të kujtohen dhe të përmenden. Por, ma merr mendja që një ditë kur të mundohem të kujtoj Vllazninë e këtij sezoni, nuk do të mbaj mend asgjë, sepse nuk ke çfarë të kujtosh dhe për këtë ndjehem i zhgënjyer.