Vllaznia rikthehet tek fitorja në kampionat pas 10 javësh dhe “viktima” e saj është sërish e njëjta skuadër, Lushnja. Pasditen e së mërkurës këto dy skuadra kanë luajtur ndeshjen e prapambetur të javës së 10-të dhe shkodranët kanë fituar me rezultatin 2-1. Takimi ka nisur me gol sepse Lika ka zhbllokuar shifrat që në minutën e 4-të ndërsa në minutën e 26-të Atsina është penguar në mënyrë të parregullt brenda zonës dhe arbitri Cjapi ka akorduar 11-metërsh që kthehet në gol nga Gocaj. U duk se ndeshja do mbyllej këtu por në minutën e 59-të Meto shënon një gol shumë të bukur për lushnjarët duke ngushtuar shifrat. Në minutat e mbetura do kishte shumë raste shënimi për Vllazninë por Atsina e Çinari shpërdorojnë shumë. Përfundimisht 2-1 për kuqeblutë. Vllaznia me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 9 pikëve duke u barazuar me Luftëtarin, sfida e së dielës me të cilin merr dhe më shumë rëndësi dhe patjetër që duhet fituar.
© shkodrasport.com