Nëse ka një njeri që ka shkruar historinë në Shkodër në 10-vitet e fundit, padyshim që është Lazër Matija me skuadrën e Vllaznisë në futboll për femra. Presidenti i ekipit shkodran ka arritur të fitojë nëntë tituj kampion dhe nëntë Kupa Shqipërie rradhazi me vajzat kuqeblu, teksa tashmë po synon fort të marrë pjesë në grupet e UEFA Women Champions League.
Merita kryesore është e tij që çdo vit krijon një grup mjaft simpatik dhe kompakt, që gjithmonë në të gjitha garat padyshim që ka synime madhore, teksa jo më kot, Vllaznia, në kaq pak vite që është krijuar futbolli i femrave, ka arritur kaq shumë suksese.
Nëse ekipi shkodran do të arrijë të futet për herë të parë në grupet e UEFA Women Champions League, padyshim që një gjë e tillë do të ishte suksesi më i madh në futbollin shqiptar deri më tani dhe emri i Lazër Matijës do të shkruhej me gërma të arta.
Realisht, nëse Shkodra dhe tifozët e saj duhet t’i thonë një “faleminderit” dikujt për atë çfarë ka bërë për emrin e Vllaznisë në gjithë këto vite, padyshim që është Lazër Matija, që çdo vit e më shumë po e lartëson emrin e madh të këtij ekipi. Faleminderit president…
Maringlen ZHIVANI