Apartamenti i ri i Francis Ngannous ka një pamje spektakolare. Nga ballkoni i apartamentit të tij në katin e tretë Ngannou mund të shikojë cepin perëndimor të Las Vegasit si dhe shkëmbinjtë e Kanionit Guri i Kuq. Pamja është gjëja që pëlqen Ngannou më së tepërmi tek apartamenti i tij, që përfaqëson kulmin e lëvizjes së planifikuar nga Franca për në SHBA gjashtë muaj më parë, përcjell Koha Ditore shkrimin e Bleacher Report. Peizazhi i Nevadas e mbush atë me ndjenjën e lirisë. Për pjesën më të madhe të jetës së tij, të ketë një vend të tillë ishte thuajse një ëndërr e pamundur.

Fakti se arriti deri këtu duket si një mrekulli. Por, Ngannou di të mos shikojë tepër. “Kjo nuk do të thotë asgjë ende”, thotë ai, duke hedhur poshtë rëndësinë e divanit të lëkurës, tavolinës së qelqit dhe televizorit që ka në apartament. “Kjo nuk është ajo që dua. Unë dua diçka shumë të madhe. Nuk mund të lejoj veten të jem i lumtur me këtë. Kjo nuk është aspak keq. Është gjë e mirë. Por, nuk është mjaftueshëm që të më shtyjë të ndalem”. Nuk është mjaftueshëm, pasi kjo nuk është ëndrra e tij. Ëndrra ajo që vërtet Ngannou do është të bëhet kampion i peshës së rëndë në serinë më të madhe të arteve marciale të përziera, në UFC.