Kujtimet e gazetarit të mirënjohur Ahmet Shqarri: Qe nga ajo e diel e 2 tetorit 1983, kur Radio Tirana filloi të përhapë valët e të parit emision sportiv, i quajtur që nga starti i tij e deri tani “Nga njëra ndeshje në tjetrën”…

Me gazetarin dhe komentatorin e mirënjohur, Ahmet Shqarri kam zhvilluar disa intervista dhe kam mbetur i befasuar. Dijet, memoria, mënyra e të folurit, komunikimi, zëri, lëvizjet e duarve dhe ndryshimi i mimikës sipas temës së bisedës, përpikëria e datave dhe viteve më lanë një mbresë të veçantë qysh në bisedën e parë.

Pas këtij momenti, takimet dhe bisedat me të ishin më të shpeshta dhe më interesante. Besoj se i gjithë brezi i para viteve ‘90 e ka njohur zërin e tij dhe mezi priste “Rubrikën Sportive” për të parë magjinë e sportit në botë veçanërisht atë të futbollit. Përcjelljet e reja të Ahmetit në atë kohë, ishin jo vetëm risi për dëgjuesin dhe shikuesin, por mbi të gjitha të shtinin kureshtjen për të njohur shumë më tepër këtë botë, ku njeriu largon stresin dhe pa vetëdije bëhet indiferent ndaj halleve të përditshme.

Por jo pak njihet Ahmeti edhe për penën e tij. Dhjetëra reportazhe, qindra portrete, opinione apo komente në organe të ndryshme të sportit jo vetëm janë përpirë nga lexuesi, por mbi të gjitha tregojnë kulturën e gjerë, mjeshtërinë e të shkruarit dhe befasinë e pështjellimit të situatës. Përpos këtyre, ajo që dua të veçoj është edhe mënyra e të rrëfyerit të Ahmet Shqarrit në kujtimet e tij.

E kur më ranë në dorë kujtimet e Ahmet Shqarrit jam befasuar. Duke i shfletuar ato kam vërë re skrupulozitetin e të shkruarit, kulturën e gjerë, saktësinë dhe korrektësinë në përdorimin e gjuhës shqipe, figuracionin artistik që është visar i shkrimtarëve të njohur, elegancën e përdorimit të fjalëve të veçanta, detajet e goditura që i përcjell plot fantazi dhe besueshmëri, dhe mbi të gjitha harmoninë e të gjitha elementëve artistik dhe estetik mbi të cilën ndërtohet një ditar, libër kujtimesh, apo një monografi…

Si nisi historia e emisionit radiofonik “Nga njëra ndeshje në tjetrën”…

“Qe nga ajo e diel e 2 tetorit 1983, kur Radio Tirana filloi të përhapë valët e të parit emision, i quajtur që nga starti i tij e deri tani “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Dhe deri të shtunën e 14 marsit 1998, kur u zhvilluan ndeshjet e javës së 24-ët të kampionatit të 59-të Kombëtar të futbollit, ky emision arriti në transmetimin e tij të 500-të!

Një jubile, do ta quaja këtë numër transmetimesh të emisionit, që ishte dashur të kalojë përmes vështirësive të shumta, gjithsesi me ngjarje të bukura e mbresëlënëse. Pa dashur që të bëj historinë e hollësishme të 500 emisioneve, që në fakt nuk do të mundja të bëja kurrsesi, për vetë volumin e madh të punës që është kryer për realizimin e transmetimeve të tyre, për vetë ngjarjet e panumërta dhe personazhet e shumtë pjesëmarrës në to, e kam të pamundur që të mos përmend ato ngjarje të fillimit, me të cilat nis vetë historia e këtij emisioni…

Kisha ditë dhe javë që përgatitesha për t’ia filluar kësaj pune dhe idenë e emisionit e kisha diskutuar disa herë me shokët e miqtë e mi plot kulturë e profesionistë, si regjisori Ylli Pepo me të cilin kishim nisur punë në RTSH menjëherë sapo përfunduam studimet për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, si edhe me fotoreporterin e shquar Petrit Kumi që në ato vite nuk linte ndeshje futbolli të “17 nëntorit” pa parë dhe fotografuar.

Duke qenë ai me Ymer Halilin, Petrit Shaqirin, Agron Krutin, Besim Fushën, Lekë Hotin, Kosta Bein dhe Nikolin Babën, të vetmit që fotot e tyre i botonin në gazetat e kohës, nën gjurmët e veteranit Enver Shabani. Pra, pa e humbur fillin e mendimit që të gjithë këta miq e shokë, për hir të së vërtetës, kanë jetuar aq shumë, së bashku me mua, emocionet e atij emisioni të parë… Dhe pasi kaloi e shtuna me ndeshjen Dinamo-Flamurtari, të nesërmen me 2 tetor 1983 do të luheshin gjashtë takimet e tjera të javës së 5-të të kampionatit të sezonit ’83-’84.

Pikërisht me ndeshjet e kësaj jave do të merrte rrugë emisioni, që do kishte si qëllim të transmetonte direkt në Radio-Tirana të gjitha ndeshjet që zhvilloheshin brenda ditës dhe në të njëjtin orë. Do të ishte kështu, një lloj imitimi i asaj që bëhej më shumë vende të tjera, ku futbolli kishte traditë dhe nivel, por duke pasur parasysh modelin e emisionit të famshëm italian “Tutto il calico – minutë për minutë”, që kishte nisur edhe ai jo shumë larg në kohë, veçse 20 vjet më parë pikërisht më 1963-shin!.

Dita e fillimit të emisionit…

Mbaj mend atë ditë kur ndeshjet donin edhe dy orë që të nisnin dhe unë kisha kohë që sillesha nëpër korridoret, zyrat dhe studio e Radio Tiranës duke u lidhur herë pas here me radio-kronistët dhe teknikët e Radios nëpër qytet ku do të zhvilloheshin ndeshjet, si dhe me frekuencën e postës qendrore të Tiranës, pa bashkëpunimin e së cilës nuk mund të kuptohej ekzistenca e këtij emisioni.

Nëpër të gjitha rrethet, që një natë më parë, ishin nisur makina me teknikët dhe aparaturat përkatëse, të improvizuara ashtu thjesht, por të vëna në provë që më parë për sigurinë e tyre në transmetim. Edhe aparatet telefonike që do të bënin lidhjet me Studion Qendrore të Radios, bënin pjesë në pajisjet e transmetimit mbushur me kabllo të ndryshëm e të shumëllojshëm. Që disa ditë më parë, opinioni ishte informuar për këtë emision special, nëpërmjet një shkrimi të hollësishëm të botuar në gazetën e vetme të atyre viteve, “Sporti”.

E mbaj mend mirë atë çast kur me kufje në vesh, aty brenda në studio, duke pasur asistencën e teknikëve Fadil Alimehmeti dhe Sabahete Qylafku, prisja kohën e duhur për të nisur atë që kisha projektuar prej kohësh. Pra, ishin dy teknikë të turnit të pasdites, ndërkohë që të tjerë të turnit të paradites ishin marrë me provat nëpër rrethe, në kontakt me teknikët, për të cilët përmenda se kisha shkuar nëpër qytete ku do të zhvilloheshin ndeshjet, që një natë më parë.

U hodha një sy teknikëve, që qëndronin përtej xhamit hermetik të studios, si për t’u dhënë zemër njëri-tjetrit, sidomos Alimehmetit, që do t’i duhej të përballonte edhe ndonjë problem që mund të haste teknikja e tij kolege. Kështu pra, pasi provova të lidhem para ndeshjeve me të gjitha rrethet në orën e caktuar fiks 15:00 sipas programit, u lëshua sinjali. Ishte një muzikë e huaj e ilustruar me pak ambient stadium, ku thuhej vetëm: “Po fillojmë emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”…

Sapo sinjali mbaroi, para se të shtypja butonin e transmetimit direkt, që do të ndizte pastaj dritën e kuqe, mbaj mend që u kollita për të qëruar zërin. Ishte më shumë një ngarkesë emocionale, që duhej ta shkarkoja. Më vonë, kjo gjë m’u bë shprehi gjatë gjithë kohës kur do të transmetoja këtë emision për çdo javë dhe jo rrallë, por edhe dy herë në javë.

Sidoqoftë, për të qenë i sigurt për të mos e provuar dështimin që në fillim me lidhjet telefonike, pasi bëra një hyrje të shkurtër e dërgova linjën për ndeshjen 17 Nëntori-Labinoti në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku komunikimi për studio e Radio-Tiranës, prej kohësh bëhet nëpërmjet një kablli nëntokësor, pa pasur nevojë për telefon.

E bëra këtë edhe për faktin se ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës që do të transmetohej nga më i miri dhe më i vjetri i radiokronistëve Ismet Bellova. Dhe pa u zgjatur, pas Tiranës ia nisëm me radhë: Ymer Striniqi në Shkodër për ndeshjen Vllaznia-Lufdtëtari, Vlash Pambuku në Berat për ndeshjen Tomori-Partizani, Vladimir Ngjela në Korçë për ndeshjen Skëndërbeu-Naftëtari, Bujar Qesja në Durrës për ndeshjen Lokomotiva-Besa dhe Avni Kërtuka në Burrel për ndeshjen 31 Korriku- Traktori.

Ishte e para herë!

Dhe që nga ajo ditë e parë e transmetimit e deri tani, nga “oponentët” më interesantë të këtij emisioni ka qenë Agron Çobani që së bashku me Alfons Gurashin, ishin nga të parët, për të mos thënë ata që i dhanë udhë radiokronikës në Shqipëri. Sidomos regjisori i mirënjohur, Albert Minga, të cilit për çudi edhe pse kohët ndryshuan, megjithatë nuk i iku asnjë çast dashuria dhe pasioni për skuadrën e qytetit të tij të lindjes, “Flamurtarin” e Vlorës.

Lojërat e mrekullueshme dhe rezultatet e shkëlqyera të “Flamurtarit” në fund të viteve ’80 sidomos në arenën ndërkombëtare patën sjellë edhe ato çaste të paharruara bashkëpunimi me regjisorin Minga, si dhe me kolegun tjetër, Vladimir Grillo, me të cilin patra nisur të hedh hapat e para në gazetarinë sportive në RTSH. Ishin punë të realizuara, që ende nuk kanë të krahasuar me ndonjë transmetim tjetër të drejtpërdrejtë televiziv, që bëhet sot për ndeshjet e kampionatit tonë të futbollit.

Natyrisht në atë kohë, në skenën tonë të futbollit luante një tjetër “Flamurtar”, ishte një “17 Nëntor” gjithashtu tjetër , që me skuadrat e shquara të traditës “Vllaznia”, “Partizani” e “Dinamo” bënin që stadiumet tona për çdo javë të shndërroheshin në arena me të vërtetë të magjishme, nga lojërat spektakolare që ato paraqisnin… Por jo vetëm ajo ditë, por dhe shumë e shumë të tjera që erdhën më pas, kanë qenë të tilla, të ngarkuara plot punë, pasion, emocione dhe shqetësime të pafundme!…

Në fakt, ai emision i parë i 2 tetorit 1983 nuk lindi ashtu vetvetiu…

Ai ka qenë piketuar më parë që në fillim të viteve ’70, kur Radio Tirana, nga ai transmetim tradicional i një ndeshje të vetme futbolli, që kishte nisur në fund të viteve’30 dhe pastaj me dy të njohurit e tjerë të radiokronikës shqiptare të futbollit Ismet Bellova dhe Skifter Këlliçi, nisi të gërshetojë më vonë transmetimin edhe të dy ndeshjeve përnjëherësh, duke zgjedhur me këtë rast dy stadiume, ku luheshin ndeshjet më të rëndësishme të javës dhe ku zakonisht ishte asistenca e teknikëve plot përvojë dhe të shquar të Radio Tiranës, Naqo Berberi dhe Skënder Paçrami.

Ndërkohë, jo vetëm futbolli kishte hyrë kështu në linjë transmetimi direkt por edhe sportet e tjera, që kishin lulëzimin e tyre në vitet ’80-të. Ishin vite ku transmetoheshin direkt nga Radio Tirana ndeshje të kampionateve të basketbollit, ku për të parë lojërat e të madhit Agim Fagu me shokë, biletat shiteshin që një javë më parë.

Po kështu, edhe për volejbollin që atë kohë kishte protagonistë të jashtëzakonshëm, si :Asllan Rusi, Dashamir Fagu apo e famshmja Ela Tase. Për të vazhduar më pas me transmetime të sporteve të tjera, ku merrnin pjesë protagonistë të shquar të atyre viteve, si Pirro Dhima në peshëngritje, Agim Tafili në çiklizëm, e të tjerë…

“Gjeografia” e transmetimeve

Si raportonin radiokronistët nga rrethet për emisionin e sportit në Radio Tirana

“Gjeografia” e transmetimeve ishte shumë e gjerë. Ajo shtrihej jo vetëm nëpër pallatet e sportit, kudo që ishin, por edhe nëpër terrene të ndryshme në shumë qytete të Shqipërisë, sidomos kur zhvilloheshin garat çiklistike, të cilat i kam ndjekur që në fillim të viteve ’70-të së bashku me të mirënjohurin, operator i televizionit shqiptar, Astrit Omeri.

Ishin pikërisht këto transmetime sportive në fillim të viteve ’70, që çelën rrugën e transmetimeve të tjera të drejtpërdrejta nga Radio-Tirana, duke nisur me koncerte e festivale, si edhe veprimtari të fushave të ndryshme të jetës kulturore, artistike dhe më vonë dhe të asaj politike, sepse censura për këto ishte më e plotë dhe gabimi nuk falej aq lehtë.

Gjithashtu edhe intervista me sportistë të ndryshëm, në fillim të regjistruara dhe vite më vonë të dhëna drejtpërsëdrejti, u bënë nismëtare për kolegët e tjerë të Radio-Tiranës, që do të thoja “morën guxim nga sporti” për t’i futur edhe ata intervistat e drejtpërdrejta nëpër emisionet e tyre, ku më vonë ato me telefon u bënë një modë e preferuar, që sot ka marrë përmasa mjaft të mëdha nga të gjitha radiot dhe TV-të… Me kalimin e viteve, radiokronistët sportivë do të shtoheshin dhe çdo ekip qyteti do të kishte, si të thuash, kronikanin e tij.

Ndryshe nga fillimet e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, kur së bashku me teknikët niseshin për në qytetet ku do të zhvilloheshin ndeshjet e javës edhe radiokronistë nga Tirana, si: Ismet Bellova, Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Kurti, Fatmir Mnberi, Robert Papa, Ilir Meta, më vonë qytetet do të transmetonin me përfaqësuesit e tyre.

Nëpër rrethe shumë shpejt u bënë të njohur shumë radiokronistë si Ymer Striniqi e Pjerin Pogu në Shkodër, Frederik Fico e Pirro Qiqi në Gjirokastër, Fejzulla Dollia në Kavajë, Sefedin Allkja në Elbasan, Llukan Çuko në Lushnjë, Zef Shtjefni në Lezhë, që më vonë do të ndihmohej nga Andon Vane, Vlora e cila pas 2-3 eksperimentesh me vendas do të kishte pastaj Moisi Dalipin si protagonist të saj, Korça me Vladimir Ngjelën, Durrësi me Bujar Qesen, Berati me Agron Kajën, Fieri me Mikel Mbriçajn e Arbër Emirin, e deri tek Fatmir Thaçi në Krujë.

Ishin shumë bashkëpunëtorë të Radio-Tiranës, që provonin për herë të parë mikrofonin në transmetim direkt. Më vonë koha do të bënte që disa prej tyre të mos i rezistonin kësaj pune të vështirë. Sidoqoftë, “ustallarët” e kësaj pune si Ismet Bellova, Aleko Gjergo dhe Veli Rada ishin ata që shkonin më shpesh nëpër rrethe, për të dhënë përvojën e tyre të pasur. Për këto raste bëhej një grafik, se cili do të transmetonte e cili në kryeqytet.

E kujtoj me njëfarë nostalgjie kur sjell ndërmend ato vite se si për të shkuar në një qytet për të transmetuar, sidomos kur kishte ndonjë ndeshje të rëndësishme, radiokronistët bënin garë kush të zinte radhën i pari. Ishte koha kur disa prej radiokronistëve po hidhnin hapat e parë dhe kërkonin që të afirmoheshin në rrugën e bukur, por në të njëjtin kohë shumë të vështirë të gazetarisë sportive të folur, që më vonë shumicës së tyre do t’i hapte rrugën edhe në gazetarinë e shkruar.

Secili radiokroinist, në stilin e tij…

Secili radiokronist, në stilin e tij, nisi të bëhet i njohur pikërisht nëpërmjet atyre “fragmenteve” që kishte mundësi të transmetonte në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. I brezit të tyre, që përpiqej të krijonte stilin e tij, ishte edhe Robert Papa. Për të ardhur deri tek transmetimi sportiv, atij iu desh të vendoste për të studiuar jashtë dëshirës së tij në Institutin e Lartë Bujqësor, sepse ndërkohë nuk i kishte dalë e drejta për të vazhduar Institutin e Arteve, të cilin e pëlqente.

Kështu, Robert Papa pas shumë kohësh në transmetim nisi të njihej për ritmin e tij të shpejtë në ndjekjen e aksioneve të lojës. Për të vazhduar me të tjerë, si Ymer Kurti, përvoja e të cilit i jepte shpesh siguri dhe lirshmërinë që i duhej. Ndërkohë dhjetëra të tjerë do të provonin më vonë startin e tyre drejt mikrofonit sportiv në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, që përbënte një sfidë të re për ata në rrugën e gazetarisë, por pa arritur të krijonin siç duhet portretin e tyre në këtë fushë.

Dikush për devijim të kursit në jetë, siç ndodhi me Ilir Metën, i cili pasi u bë deputet dhe funksionar i lartë i Partisë Socialiste, arriti deri në majën më të lartë të hierarkisë politike, në rangun e Presidentit të Shqipërisë. Sportin e ushtruar gjatë studimeve në Universitetin e Tiranës, Ilir Meta kërkoi që ta plotësojë edhe me profesionin e bukur të radiokronistit sportiv, që pas shumë sprovash, dukej se po e fitonte, duke transmetuar jo vetëm në rrethe, por edhe në stadiumet e Tiranës, krahas mjeshtërve tashmë të njohur të transmetimeve tona.

Dhe historia vazhdon…

Dhe historia vazhdon me personazhe të tjerë, me ata që përvojën e tyre u përpoqën ta pasurojnë, për të thënë diçka të tyren, origjinale, por mbi të gjitha të saktë e të paanshme, ç’ka është në fakt në themel të punës që bëhet për organizimin dhe realizimin e çdo emisioni. I tillë është Ymer Striniqi, të cilin mund ta quajmë “dekan” për atë grup radiokronistësh që ka nxjerrë Shkodra dhe që me përvojën e tij, mbetet nga ata që kanë bërë historinë e këtij emisioni.

I këtij plani është edhe Sefedin Allkja, që pas përvojës si gjyqtar i njohur futbolli, me reputacionin e fituar si radiokronist sportiv, arriti të bëhet nga personat publikë më popullorë, jo vetëm në Elbasan. Për të vazhduar me Moisi Dalipin interesant, apo me Rrok Preçin, që me transmetimet e tij nga Laçi përbënte “kripën” e emisioneve, me Fatmir Eficën e Bujar Qesen, që tani botojnë edhe libra e gazeta, Zef Shtjefni e Fatmir Thaçi plot kulturë dhe kompetentë; e deri tek Mikel Mbriçaj dhe Arbër Emiri pasionant, Pal Toma e Sefer Kika, Piro Qiqi i “Shkollës gjirokastrite” të transmetimeve, nën shembullin e F. Ficos, Agron Kaja, i qetë dhe i saktë.

Vladimir Ngjela, gjithashtu nga veteranët e këtij emisioni, duke vazhduar me më të vonshëm, si Astrit Hodaj e Pëllumb Starova, e të tjerë që të na falin, se edhe nuk i kujtoj as emrat, të cilat kanë arritur që të inaugurojnë emisionin tonë. Sidoqoftë të gjitha këta, secili i veçantë në mënyrën e tij të transmetimit, kanë dhënë kontribut të madh për emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, për të cilën shumica ende sakrifikojnë me tërë kuptimin e fjalës.

Këta radiokronistë besnikë, po i quaj kështu për atë përkushtim të madh që kanë treguar, madje edhe në ato kohë të vështira kur të luajturit futboll në Shqipëri quhej një absurditet, kur kampionati ynë luhej nëpër fusha asnjanëse, pa spektatorë dhe kur në stadium kërciste edhe kallashnikovi.

Pra, kur futbolli dhe çdo sport u ishte zverdhur të gjithëve, pikërisht në këto kushte, kur edhe gazetat ishin “fshehur” duke mos u botuar, këta radiokronistë, besnikë të emisionit me fanatizmin e tyre profesional ishin gjithnjë të gatshëm duke transmetuar çdo javë që luhej futboll.

Pranë aparaturave të improvizuara për transmetim dhe shpesh në mungesë të tyre, pranë telefonave ku nëpërmjet një odiseje komunikimi që shumëkush nuk mund ta kuptojë, së bashku me teknikët e telekomit nëpër rrethet përkatëse, radiokronistët e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me transmetimin e tyre gjithsesi kanë bërë të mundur t’i japin frymë futbollit tonë, që ishte pushtuar nga agonia dhe probleme të tjera. Për këta radiokronistë, jeta vazhdonte…

Edhe pse shumëkush, kur dëgjonte transmetimet e ndeshjeve në radio, qëllonte të thoshte: ”Pse ende luhet futboll në Shqipëri!”. Në vitin 1997, kur UEFA me FIFA-n, i përjashtuan klubet tona nga garat evropiane, duke i dhënë ndërkohë Kombëtares sonë “statusin e emigrantit”, pasi e privoi atë që të luante në fushën e saj, në të gjitha këto raste, emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” i ka shërbyer futbollit shqiptar, ekzistencës së tij, nëpërmjet transmetimeve që nuk janë ndërprerë për asnjë javë, duke pasur si protagonistë, pikërisht këta radiokronistë. Por ky emision ka pasur edhe një tjetër mundësi për të mbijetuar: Radion! Për të cilën, këngëtari i famshëm Frank Sinatra, në kohën kur në skenën e mediave doli televizioni, pati thënë se, “televizioni një shpikje e bukur. Kur mbyll sytë, më ngjan si radio!…”. ,

Kujtimet e një pjese jete…

“Albano në Gjirokastër?!”

Ka qenë një rastësi takimi me Albanon, kur gjatë pushimit nëpërmjet etapave të një rrethi çiklistik në verë të vitit 1985, aty në hollin e Hotel-Turizmit në “Qytetin e gurtë”, kam parë për një çast të vërtitej as më pak dhe as më shumë, por vetë këngëtarin e shquar italian, të cilin nuk kisha sesi të mos e identifikoja menjëherë, veç të tjerave edhe nga ato syzet e tij të vogla karakteristike.

Megjithatë, pyesja veten: Albano në Gjirokastër?! Po, ishte me të vërtetë ai! Pas prezantimit dhe një mirëkuptimi, të nesërmen në një vend të bukur, aty përballë ishujve të vegjël të Ksamilit, u realizua edhe intervista me të (e transmetuar pas dy muajsh në TVSH, kur Albano ishte larguar prej kohësh nga Shqipëria).

Zbulonte ajo misteret e atij udhëtimi të këngëtarit të madh italian në këtë vend, në kujtim të të cilit ai kishte marrë edhe emrin kur kishte lindur. Ai kishte ardhur në Shqipëri për t’u njohur pikërisht me vendet, ku i ati i tij kishte qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga ku pati marrë lajmin e lindjes së djalit, të cilit nuk pat ngurruar t’i vinte emrin e kësaj treve, Albano… Një histori tepër mbresëlënëse, me një personazh të jashtëzakonshëm.

IBRAHIM KODRA

“Pikaso i Shqipërisë”, prej tij mora Çmimin Kombëtar në gazetari

Mjeshtri i madh i pikturës botërore, Ibrahim Kodra. I njohur si “Pikaso i Shqipërisë”, ky piktor i shquar modern “zbulohet” edhe si sportist kampion dhe rekordmen i atletikës sonë në vitet ’30-të. Takimi me të, në 1998-ën pati sjellë një nga çastet më të bukura të karrierës sime, sepse përshkrimi i bisedës me piktorin e famshëm, botuar në gazetën “Sporti Shqiptar” do të më shpërblente po atë vit me Çmimin Kombëtar në gazetari dhënë nga fondacioni “Velija”.

Ka thënë për futbollin…

Vath Koreshi: “Një ndeshje futbolli, ngjarja që ndal lëvizjen e rruzullit…”

“Një ndeshje futbolli, jo rrallë bëhet ngjarja që ndal lëvizjen e rruzullit. Nuk ka asnjë aktivitet tjetër njerëzor, që si nën veprimin e një poli të fuqishëm magnetik, vëmendja e deri një miliard e gjysmë njerëzve, siç ka ndodhur me finalet e mëdha, të përqendrohet në të njëjtin kohë, në të njëjtën pikë. Arsyet janë të pafundme, por ndoshta mbi të gjitha është dëshira për të sfiduar.

Njeriu është në një eksperiment të vazhdueshëm të sfidimit të vetvetes, në përpjekje të përhershme për të arritur atë që quhet e paarritshme. Me futbollin, ai sikur kërkon të tregojë se çfarë mund të bëjë me anë të një topi dhe me këmbët e tij, duke demonstruar virtuozitetin e lëvizjes, befasinë e mashtrimit, forcën e krijimit dhe intuitën për të dalë mbi një kundërshtar të vendosur para tij, i cili kërkon të bëjë gjithashtu të njëjtën gjë në atë sfidë…

Kam parë të luajnë shumicën e futbollistëve të këtyre 50 vjetëve, duke nisur nga lojtarë të tillë të mëdhenj e të hershëm si: Loro Boriçi, Xhep Spahiu e Qamil Teliti; kur dy të parët luanin me partizanin e tjetri me Tiranën,; apo Zihni Gjinali e Qemal Vogli, që luanin me Dinamon. Të tjerë të shquar si Refik Resmja e Muharrem Karanxha të Partizanit, që kanë arritur të shënojnë deri në 12 gola në një ndeshje; Bozhori i Gjirokastrës e Bizhiuta i Elbasanit, Dake Sherifi e Roza Hazhiu të Lushnjës, etj.

Janë me qindra ata që i kam parë nga shkallët e stadiumeve a në buzë të fushave. Nuk e di se në çfarë mase është lidhja e sportistëve me artistët, por gjithsesi në njëfarë mënyre, ajo është një lidhje kolegësh pasi thellë-thellë sporti dhe arti kanë diçka të përbashkët: artisti ka dhuntinë të shprehë atë që ndjen, por që nuk di ta shprehë e që nuk mund ta bëjë dot shumëkush.

Ju siguroj se artistët i duan sportistët dhe janë ndër dashamirët më të flaktë të talentit të tyre të mrekullueshëm. Pikëisht, sportistë, por edhe njerëz të të shquar që e kanë lidhur jetën e tyre me futbollin, na kujtojnë njëherazi se nuk duhet të harrojmë t’i kthejmë sytë nga ky “qiell” e t’i shohin ata “yje”, pasi pa vëmendje e të lënë në harresë, edhe yjet, sado shkëlqim të fortë të kenë, zënë e shuhen, ashtu siç mund të ndodhë edhe me emrat, që sado të mëdhenj e të skalitur qofshin, zënë e zhduken e i mbulon pluhuri…

Futbolli është i tillë, që na bën të heshtim e të mbajmë frymën dhe të dëgjojmë historinë e transmetimeve tona futbollistike, që nis me Anton Mazrekun e Ismet Bellovën, me Skifter Këlliçin e Aleko Gjergon; për të ardhur tek dhjetëra radiokronistë në të katër anët e Shqipërisë, kolegë të vjetër e të rinj që Ahmet Shqarri, i cili ka mëse tre dekada që e ka lidhur jetën me mikrofonin e sportit, ka ditur t’i respektojë nëpërmjet kujtimeve…”.