Vijareali arriti të merrte një barazim me mjaft vlera ndaj Real Madridit mbrëmjen e djeshme me rezultatin 2-2 dhe ajo që bie më shumë në sy, është fakti se të dy golat e Vijarealit u shënuan nga Santi Kazorla, futbollisti të cilit nuk iu dha më shpresë se një ditë mund të luante futboll, për shkak të një dëmtimi të rëndë. Megjithatë, Kazorla nuk u dorëzua kurrë dhe pas shumë vitesh trajtim, arriti të rikthehej në fushën e blertë dhe tashmë luan me Vijarealin duke u kthyer edhe në hero.

Vetë Kazorla, pak kohë më parë tregonte historinë kur ishte dëmtuar dhe për shkak të neglizhencës së mjekëve, në kyçin e këmbës kishte bakterie që po i hanin mishin kohë pas kohe, por askush nuk po e gjente dot se ku ndodhen këto bakterie.

Ai tregon se janë dashur të bëhen më shumë se 3-4 operacione, vetëm për të gjetur bakteriet, ndërkohë që kocka ishte zbutur dhe ishte bërë si plastelinë, ndërkohë që gjatë gjithë kohës, Kazorla falënderon Arsen Vengerin, duke qenë se i rinovonte kontratën atë kohë, kur ishte pjesë e Arsenalit.

Megjithatë, pas shumë vështirësive dhe operacioneve të shumta, Kazorla arriti të triumfonte ndaj këtij dëmtimi dhe vitin e kaluar, u rikthye në fushë duke dalë nga një dhomë xhami, e mbushur me tym dhe duke u shfaqur me magji, falë një magjistari spanjoll. Ajo që bën më shumë përshtypje, lidhet sërish me kyçin e këmbës së Kazorlës.

Duket qartë që ai ka një tatuazh pa kuptim në kyç, por në fakt nuk është dëshira e tij që të kishte atë tatuazh. Duke qenë se mishi i këmbës i ishte infektuar keq, nuk mund të dilte mish i ri dhe në këtë mënyrë, i duhej që të hiqte një copë nga pjesa tjetër e trupit, për ta vendosur aty.

Ai mendoi ta hiqte nga krahu, aty ku ka edhe një tatuazh dhe ta vendoste në këmbë, duke e ndarë në këtë mënyrë tatuazhin në dy pjesë, për të plotësuar trupin e tij. /vipsport/