Gjithë Superiorja thuajse e kërkon dhe kanë hedhur “grepat” hapur apo edhe “underground”, me përpjekjet për të joshur “gardianin”, kapitenin dhe klubin fierak për shërbimet e Romeo Harizajt.
Shumë ekipe nuk duan të shfaqin publikisht interesimin për portierin e talentuar fierak, nga frika se ua rrëmbejnë rivalët.
22-vjeçari Harizaj luan në një skuadër të ashtuquajtur “të vogël”, si Apolonia, që po e lë pak nga pak Superioren, por ai ka rënë në sy bashkë me disa talente të tjera të skuadrës, që nuk është e tepërt t’i përmendim: Eljon Sota, Redon Mihana dhe Mario Gjata, “xhevahirë” që Apolonia nuk ka ndërmend t’i lëshojë lehtë.
Për Harizajn, pak është thënë në media në lidhje me interesimet nga skuadrat e tjera. Për kapitenin e Apolonisë, një nga më premtuesit dhe ndër portierët më të mirë të Superiores aktuale, janë interesuar që nga Bylisi i origjinës së Harizajt; Kukësi, që nuk heq dorë prej dy sezonesh; Vllaznia, Laçi e gjer te Partizani e Kastrioti, që shohin te Harizaj garancinë për katërkëndëshin dhe pasardhësin e denjë të Alban Hoxhës apo dhe të Isli Hidit.
Në forma të ndryshme, kërkesat e klubeve të sipërcituara kanë mbërritur në “dyert” e klubit fierak, ky është fakt i pamohueshëm. Por, Romeo i Apolonisë nuk joshet kollaj nga “flirtimet” e “Zhuljetave” sportive, sepse ai është profesionist i vërtetë.