Në vazhdim të shkrimit për legjendën Agustin Kola, “Panorama Sport” ju sjell më poshtë, disa pikantë nga jeta e ish-lojtarit.

* Pasionet e tij në fëmijëri kanë qenë noti dhe akrobacia, por shumë shpejt i zëvendësoi pishinat dhe arenën e cirkut me dashurinë e tij të përjetshme, futbollin, dhe “habitati” i tij u bë bari i gjelbër i terreneve sportive.

* “Rebeli Agustin, trazovaçi çapkën dhe i pandreqshëm, por i ndershëm” e kanë quajtur me buzëqeshje miqtë e tij, ku pjesa dërrmuese kanë qenë kundërshtarë të betuar në fushën e lojës me Agustin Kolën.

* Për 14 vjet, 1980 – 1994, Agustin Kola ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi të Kombëtares, duke qenë një ndër lojtarët kryesorë të saj. Ka debutuar kur ishte 21 vjeç, më 6 dhjetor 1980, në ndeshjen Shqipëri – Austri 0-1 dhe e ka mbyllur me Kombëtaren në moshën 35 vjeç, më 7 shtator 1994, në ndeshjen Uells – Shqipëri 2-0.

* Zyrtarisht, nga futbolli i luajtur, Agustin Kola është tërhequr në moshën 39-vjeçare, në vitin 1998.

* Në debutimin me Kombëtaren, Kola ka zëvendësuar sulmuesin e mirënjohur, Sefedin Braho, ndërsa në ndeshjen e fundit, ka qenë i përzgjedhur në formacionin bazë nga ish-trajneri i Kombëtares, Neptun Bajko dhe pjesën e dytë është zëvendësuar nga Indrit Fortuzi.

* Agustin Kola është shpallur dy herë radhazi shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë (Superliga sot): në sezonin 1987 – 1988 me 18 gola dhe në sezonin 1988 – 1989 me 19 gola të shënuar.

* Kombëtarja: “Emocione sa herë që luanim për Kombin! Ishim një brez i mirë dhe mund të kishim bërë më mirë, ashtu siç bëmë edhe me Shpresën”.

* Në historikun e futbollit shqiptar, Agustin Kola mban vendin e tetë në renditjen gjithëkohore të kampionatit elitar, me 133 gola zyrtar të regjistruar.

* Në gjithë jetën e tij sportive, në ndeshje zyrtare, Agustin Kola ka shënuar mbi 570 gola.

* Futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve për Kolën: Panajot Pano.

* Ushqimi i preferuar: “Nuk jam ndonjë ‘hamës’ i madh. Përzgjedh ushqime që përmbajnë karbohidrate dhe proteina”.