Për boksierin e njohur shkodran Kristian Demaj, pas rikthimit në këtë sport, duket se “nuk ka pushim”.

Menjëherë pas kthimit ngaPolonia ku për një javë me rradhë zhvilloi “sparing” me kampionin e botës Tomasz Adamek, ai ditën e djeshme është nisur drejt Gjermanisë me të njëjtin mision.

Këtë herë, në adresë të tij ka ardhur një ofertë nga palestra e dytë më e madhe në këtë vend, ajo ECBox Promotion e Hamburgut, për të qenë në dispozicion të boksierëve të saj të cilët janë ndër më të njohurit jo vetëm në këtë vend por edhe në Europë.

Favori i Demajt është se kemi të bëjmë me një boksier mëngjerash dhe të tillë në fakt janë të paktë, çka i ka dhënë mundësinë që të jetë i kërkuar për të zhvilluar ndeshje kontrolli me kampionë të mëdhenj.

Duke folur për “Shkodra Sport” para nisjes për në Gjermani, ai do të shprehej:

“Më ka ardhur një ofertë për të qëndruar dy javë e gjysëm në një nga palestrat më të mëdha të Gjermanisë, ajo e Hamburgut ku stërviten boksierë të mëdhenj dhe me shumë emër, që të jem pjesë e stërvitjeve të tyre.

Ky është një lajm shumë i gëzueshëm për mua dhe njëkohësisht një vlerësim që më është bërë.

Nuk përjashtohet mundësia që të qëndroj edhe më gjatë atje, pse jo edhe të firmos ndonjë kontratë.

E rëndësishme është se përvoja që po fitoj me këto boksierë me shumë emër, është e jashtëzakonshme dhe do të më ndihmojë shumë në karrierën tim”.
© shkodrasport.com