Vllaznia është duke kaluar një moment aspak të mirë në kampionat. Kuqeblutë nuk ia dolën që të marrin pikë në transfertën e Korçës, pikërisht prej lojtarit të tyre të Akademisë, Belajdi Pusi. Djaloshi ndëshkoi ish-skuadrën e tij duke kërkuar më pas edhe “falje” me mosfestimin e golit.

Në Shkodër “qajnë” talented që këtë sezon kanë bërë mirë me klubet e tjera. Politikat e shkodranëve nuk janë drejtuar te elementi I ri cilësor, ndërsa në merkato u afruan plot 16 lojtarë, ndërsa në Shkodër burojnë talented që furnizojnë klubet e Superligës dhe jo vetëm.

Kjo është një gafë e përsëritur e drejtuesve të klubit, që kërkojnë yjet mijëra kilometra larg, duke mos hedhur sytë te të rinjtë.

Eridon Qardaku u largua falas nga Akademia e klubit drejt Bylisit, ndërsa Belajdi Pusi drejt Skënderbeut. Emra të tjerë që nuk shihen me vëmendje janë Brendon Smajli, Akileu Ndreca apo Uheid Hoxha. Pa harruar të përmendim Tahiragën apo Shimën.

Ndërsa trajneri Dedja kërkon që këto javë lojtarët të ndiejnë fanellën duke respektuar qytetin dhe traditën, Vllaznia I ka sytë nga lojtarët e huaj që në fund largohen ende pa u mbyllur sezoni./newsport/