Prej vitit të kaluar i mungon Vllaznisë dhe padyshim që kjo gjë është ndier tek skuadra. E kemi fjalën për sulmuesen bukuroshe Uendi Muja, një nga lojtaret më të spikatura të kampionatit shqiptar të viteve të fundit.
Arsyeja e kësaj mungese ka të bëjë me faktin se mesa mësohet, ajo është larguar nga Shqipëria. E shohim në postimet e saj në rrjetet sociale nëpër vende të ndryshme të Europës dhe kjo na e shtyu kureshtjen për të mësuar në lidhje me vendodhjen e saj të re.
“Arsyeja e largimit tim nga Vllaznia ka të bëjë me faktin se tashmë ndodhem bashkë me familjen time në Francë, vend ku dhe po jetojmë”- shprehet Uendi.
Më pas, vjen edhe pyetja tjetër nëse vazhdon të luajë futboll edhe në këtë vend dhe autorja e 103 golave në kampionatin shqiptar shprehet: “Sigurisht që vazhdoj të merrem me futboll sepse është një nga pasionet e mia më të mëdha. Aktivizohem me skuadrën e qytetit ku jetoj këtu në Francë”.
Ndonëse mijëra kilometra larg, Uendi nuk e heq vëmendjen nga vendlindja e saj dhe po ashtu edhe nga skuadra me të cilën u shpall 6 herë kampione e vendit (5 herë me Vllazninë dhe 1 herë me Adën). Prandaj dhe për këtë shton: “Pavarësisht se aktualisht nuk po luaj për Vllazninë, e ndjek me vëmendje ecurinë e saj dhe gëzohem për sukseset që vazhdon të arrijë. Gëzohem njëlloj për trofetë që vazhdon të fitojë, njëlloj sikur të isha pjesë e saj”
Uendi Muja:
2017- 2018 Vllaznia 20 ndeshje- 15 gola
2016- 2017 Vllaznia 18 ndeshje- 58 gola
2015- 2016 Vllaznia 17 ndeshje- 17 gola
2014- 2015 Vllaznia 17 ndeshje- 8 gola
2013- 2014 Vllaznia 15 ndeshje- 5 gola
2012- 2013 Ada 4 ndeshje- 0 gola