Tirana-Vllaznia kanë një histori shumë të pasur mes tyre me përballjet historike që kanë dhuruar në vite. Si bardheblutë ashtu edhe shkodranët kanë pasur disa nga sulmuesit më të mirë të vendit në organikën e tyre në të shkuarën. “Shkodra Sport” sjell disa nga sulmuesit që kanë shkëlqyer me fanellat e të dy skuadrave pas viteve 90.

Auron Miloti ishte një ndër të parët që në gjysmën e viteve 90, kaloi nga Vllaznia tek Tirana. Një histori e pasur me gola tek shkodranët u vijua edhe tek kryeqytetasit me të cilët ish-sulmuesi i njohur arriti të fitonte edhe 3 herë kampionatin shqiptar. Golashënuesi më i mirë historisë së kampionati shqiptar, Vioresin Sinani ka shkëlqyer si Shkodër ashtu edhe në Tiranë.

Titulli kampion me Vllazninë në 97-98 dhe ai po me shkodranët në 2000-2001, u vulosën edhe nga ai titull me Tiranën për Sinanin në sezonin 2006-2007. Sezon ku me bardheblutë shënoi 23 herë në 29 takime. Hamdi Salihi do kujtohet gjithmonë për golat e tij e sidomos roveshatat e jashtëzakonshme që realizonte.

Ish-bomberi pasi nuk pati fatin të fitonte një kampionat me ekipin e qytetit të tij, Vllazninë e realizoi këtë në po sezonin 2006-07 me ekipin e Tiranës. Me Vllazninë Salihi realizoi në kampionat 30 gola në 55 takime ndërsa me Tiranën 42 në 52 ndeshje.

Bekim Balaj ishte një talent i jashtëzakonshëm që në fillimet e tij. Shpërtheu në sezonin 2009-10 tek Vllaznia, për tu transferuar jashtë vendit më pas. Rikthimi në Shqipëri do vinte tek Tirana në sezonin 2011-12. Shtatlarti shënoi 16 gola në 37 ndeshje, me bardheblutë fitoi edhe kupën e Shqipërisë.

Një nga sulmuesit e fundit që ka shkëlqyer me dy fanellat është Elis Bakaj. Sulmuesi kryeqytetas qëndroi vetëm gjysmë sezoni në Shkodër në vitin 2017. Në 14 ndeshje shënoi 6 gola duke ndihmuar Vllazninë për mbijetesë në atë sezon. Një histori “bomberash” mes dy skuadrave që gjithmonë kanë ditur të japin spektakël dhe të dhurojnë ndeshje të paharrueshme mes tyre.

Endri ÇINARI