Ndeshja e të dielës mes Lacios dhe Xhenoas do të jetë shumë speciale për Thomas Strakoshën. Portieri shqiptar do të regjistrojë duelin e tij të 100 në Serinë A, të gjithë me Lacion, si pakkush e kishte parashikuar disa vite më parë.

Një dëmtim i Marketit i hapi rrugën e formacionit tre vite më parë gardianit shqiptar për një sfidë ndaj Milanit dhe që atëherë, ai ka qenë thuajse i pazëvendësueshëm në katërkëndorin e skuadrës së drejtuar nga Simone Inzagi.

Kështu, brenda 3 sezonesh ai do të festojë numrin e 100 ndeshjeve në elitën e futbollit italian, ndërsa ka çuar në 129 takimet e luajtura me Lacion në të gjitha aktivitetet. Shifra të cilat Etrit Berisha i ka regjistruar me vështirësi në Itali edhe pse është që në vitin 2013 pjesë e futbollit në këtë vend.

“La Gazzetta Dello Sport” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj shifre jubilare që Strakosha bëhet gati të festojë, duke kujtuar se ajo është mëse e merituar për portierin shqiptar. Si shembull jep pikërisht ndeshjen e fundit, atë ndaj Interit në mesjavë, me pritjen e dyfishtë që bëri në pjesën e dytë të takimit, duke treguar se jo më kot prej kohësh merr vlerësimet më të larta. /vipsport/