Tërbuni do të nisin sot punën për vitin 2025. Nga pukjanët janë larguar dy lojtarë me peshë, sulmuesi Vildan Kaçubele që do t’i bashkohet Ilirisë, si dhe portieri Aleksandër Angjelkovski. Drejtuesit janë vënë në lëvizje për afrime të reja.

Nga Nigeria do të vijë një qendërmbrojtës dhe një sulmues, ndërkohë që edhe pesë futbollistë të tjerë pritet t’i bashkohen Tërbunit. Trajneri Sinan Bardhi, për mediat u shpreh:

“Të hënën do të mbledh ekipin për të vazhduar punën për fazën e dytë të kampionatit. Më vjen keq për largimin e Kaçubelës, por është dëshira e tij të luajë ku të dojë. Ne duhet ta zëvendësojmë me ndonjë lojtar që vlen.

Do të afrojmë lojtarë që bëjnë diferencën, pasi kështu dëshiron edhe kryebashkiaku Rrok Doda, i cili ka garantuar se ana financiare nuk do t’i mungojë ekipit. Tani afrimet janë të dorën e stafit teknik, drejtorit dhe shefit të klubit.

Kjo fazë është pak më e vështirë se e para. Nuk do të demoralizohemi, por do të hyjmë më fuqishëm në merkato, që të afrojmë lojtarë që bëjnë diferencën. Ata do të na ndihmojnë për arritjen e objektivit, që besoj se është i arritshëm. Duhet të luftojmë në çdo ndeshje si brenda dhe jashtë dhe të marrim vetëm rezultate pozitive”.