Mbledhja urgjente që zhvilluan drejtuesit e klubit shijakas në mbrëmjen e së enjtes gëzoi jo pak tifozët, pasi në ditët e fundit kishin qarkulluar shumë “tymnaja” sa i përket së ardhmes së klubit.
Shqetësimet e sportdashësve të Erzenit ishin për shkak se diskutohej ekzistenca e skuadrës dhe fakti që nuk kishte garanci financiare për të vijuar garën në elitë.
Mirëpo, drejtuesit e klubit kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe do të vijojë investimi për të mbajtur gjallë skuadrën dhe pse jo për të befasuar sërish Superioren, ashtu si në sezonin e fundit. Mirëpo, në klubin e Erzenit duhen zgjidhur tashmë disa dilema pas mbledhjes së frytshme që u bë në bashki mes sponsorëve.
Së pari, drejtuesit duhet të emërojnë stafin e ri teknik. Në javët e fundit janë lakuar emra të shumta trajnerësh si kandidatë për pankinën shijakase, madje nuk është përjashtuar mundësia as e konfirmimit të Alfred Deliallisit, i cili mbylli sezonin si trajner.
Gjithsesi, për momentin nuk ka një konfirmim nga klubi, në një kohë që vijojnë të lakohen emra si Gentjan Stojku dhe Gentjan Mezani për stolin shijakas.
Sa i përket grupit që mbylli sezonin, deri më tani janë konfirmuar tri largime: Adnard Mehmeti, Dejvid Kapllani dhe Elvis Kovaçi.
Mirëpo, duket se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me titullarë si Ardit Peposhi, Nehar Sadiku dhe kryegolashënuesin Patrik Nonato.
Ky i fundit ka marrë një ofertë zyrtare së fundmi nga klubi azerbajxhanas, Sumqayit, por duket se gjithçka është në dorë të Erzenit, pasi burime në klub tregojnë se braziliani është edhe një vit nën kontratë me shijakasit.
Aktualisht për afrime nuk bëhet fjalë, paçka se drejtuesit kanë bërë bisedime paraprake me disa lojtarë. Pa u konfirmuar trajneri i ri, zor se klubi do të hedhë hapa konkretë për lojtarë që do të afrohen.