Te Vllaznia e gjithë vëmendja është përqendruar aktualisht në gjetjen e trajnerit të ri. Pas disa ditësh, ku po përfliten disa emra kandidatë për të marrë drejtimin e ekipit shkodran, së fundmi në skenë ka dalë edhe shkodrani Samuel Nikaj, i cili më parë ka qenë në rolin e zv.trajnerit te Vllaznia, ndërsa sezonin e mbylli në krye të pankinës së Pogradecit në Kategorinë e Dytë.
Drejtori i ri sportiv, Elvis Plori, ka pasur një bashkëpunim me Nikajn në akademinë Vllaznia disa vite më parë, prandaj dhe së fundmi janë shtuar zërat që e bëjnë Nikajn kandidat potencial. Mirëpo, nga ana e klubit vijohet të mos ketë një vendim përfundimtar, për më tepër që deri më tani më afër shikohet kandidatura e Edi Martinit, i cili pasi është larguar nga Teuta, mund të rikthehet në pankinën kuqeblu pas plot 13 vitesh larg Shkodrës.
Armando Cungu dhe Thomas Brdariç, të dy ish-trajnerë të Vllaznisë, vijojnë gjithashtu të jenë në listën e kandidatëve. Fjalën e fundit do ta thotë presidenti Alban Xhaferi, i cili në bashkëpunim edhe me drejtorin sportiv, Elvis Plori, do të vendosin në ditët e ardhshme. Aktualisht mësohet se Xhaferi ndodhet jashtë Shqipërisë dhe mungesa e tij në Shkodër ka lënë disi pezull çështjen e trajnerit.
LOJTARËT –“Panorama Sport” raportoi dje se klubi shkodran ka arritur marrëveshjen me sulmuesin që u largua nga Teuta, Ildi Gruda. Mendohej se dje ai do të bënte edhe prezantimin zyrtar me Vllazninë, por duket se gjithçka është shtyrë nga drejtuesit e klubit, edhe për faktin se mungon presidenti Xhaferi, i cili ndodhet jashtë vendit për çështje biznesi. Mësohet se ka qenë dëshira e sulmuesit që prej kohësh të ribashkohej me Vllazninë, ndërsa ka qenë pjesë e kuqebluve në ekipin U-19, ku dhe u shpall kampion. Në vazhdim do të ketë edhe të tjerë emra që priten të rinovojnë, por edhe të veshin për të parën herë fanellën e Vllaznisë.
Drejtori sportiv po punon me listën e lojtarëve që përfliteshin për të rinovuar me ekipin. Emra si Zogoviç, Jonuzi, Bulatoviç, Marku dhe Latifi presin të thonë fjalën e fundit. Deri në fundjavë gjasat janë që të mbyllen disa marrëveshje në klubin kuqeblu. Mirëpo, gjithçka do të nisë nga trajneri i ri, i cili natyrisht do të ketë edhe kërkesat e tij për merkaton, por gjithashtu lojtarët aktualë që janë në kontratë. Largimet janë të pashmangshme nga skuadra, por fillimisht klubi kërkon të rakordojë gjithçka me trajnerin e ri.
AXHENDA – Vllaznia është shpërndarë që pas ndeshjes së fundit të kampionatit. Kuqeblutë do të zbresin në fushë më 12 qershor, për të nisur përgatitjet në prag të ndeshjeve në Ligën e Konferencës. Skuadra do të mësojë kundërshtarin që do të ketë në turin e parë pas shortit që do të hidhet në UEFA më 20 qershor. Ndeshjet do të luhen më 13 dhe 20 korrik. Kuqeblutë do të bëjnë një përgatitje 1-mujore, teksa pritet të kryejnë edhe minifazë në qytezën e Zllatiborit në Serbi.