Ditët e fundit tek Veleçiku janë ofruar katër futbollistë të rinj të cilët duket se e kanë forcuar këtë skuadër në prag të nisjes së ndeshjeve të gjysmës së dytë të kampionatit. Bëhet fjalë për Nimani, Smajli, Rajçeviq e Blinishta të cilët e kanë bërë trajnerin Duli tashmë të jetë më i qetë për zgjedhjet që do të bëjë për ndërtimin e formacionit.
Dhe jo vetëm kaq. Nga dëmtimi është rikuperuar edhe sulmuesi Ujkaj. Por përveç afrime, ka patur edhe largime lojtarësh. Një prej tyre ka qenë ai i sulmuesit Brilant Hasaj.
Ky i fundit duke parë ndoshta që tani do të ketë më pak hapësirë për të, ka vendosur të largohet prej këtij ekipi. Dhe zgjedhja e tij ka të bëjë me një tjetër ekip të kategorisë së parë, pikërisht tek Besëlidhja.
22 vjeçari i është bashkuar tashmë ekipit lezhjan dhe do të luajë për të në pjesën e mbetur të këtij sezoni. Megjithatë drejtuesit koplikas mendojnë se ky largim nuk do të ndikojë në ecurinë e ekipit pasi të gatshëm për repartin e sulmit kanë Nimanin, Tomën, Ujkajn por edhe Blinishtën.
© shkodrasport.com