Fillimi i sezonit për ekipin e Luftëtarit nuk ishte ndër më të mirët, pasi në 12 ndeshjet e para, Luftëtari numëronte plot 7 humbje, 3 barazime dhe 2 fitore, duke pësuar 17 gola vetëm në kampionat.
Gjithçka ka ndryshuar për “bluzinjtë”, pas ndeshjes me Vllazninë, në datën 26 nëntor 2017, e cila mbyllej me shifrat 2-1 në favor të shkodranëve.
Prej asaj ndeshje, gjirokastritët nuk e njohin më humbjen, duke arritur të marrin 5 fitore dhe 3 barazime në 8 ndeshje radhazi.
Të shtunën Luftëtari luan përballë Vllaznisë ndeshjen e 9, e cila përkthehet në një fazë të plotë, e nëse arrin të fitojë ose të barazojë, ekipi i drejtuar nga Hasan Lika do të kryente një fazë të plotë pa humbje.
E sigurt është që Luftëtari po luan një futboll të bukur, por nëqoftëse do të luante kështu që nga fillimi, ndoshta sot do të ishte rivali kryesor për një pozicionim në zonën e Europës, pasi ka arritur të marrë pikë përballë ekipeve që mbajnë kryesimin, përfshirë edhe Skënderbeun.
Në 8 ndeshjet e fundit, Luftëtari ka arritur të shënojë plot 16 gola, me një mesatare prej 2 golash për ndeshje, që tregon më së miri formën e gjirokastritëve dhe se si janë transformuar në një makineri golash.
Ekipet e vetme që i kanë marrë pikë gjirokastritëve në këtë “fazë” janë Laçi, Lushnja dhe Flamurtari, të cilat duhet të ndihen të kënaqura që kanë dalë nga fusha e lojës me nga një pikë. /vipsport/