Kundërshtari i kësaj jave për Vllazninë do jetë Kastrioti. Krutanët do udhëtojnë drejt Shkodrës ditën e shtunë, për tu përballur me kuqeblutë në kuadër të javës së 23-të. Ndeshje që do zhvillohet në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Patjetër një ndeshje interesante për tu ndjekur, ku shkodranët duan pikët maksimale për titullin kampion e krutanët ato të shpresës për mbijetesën.
Kastrioti vjen në Shkodër mes 1001 e problemesh, ku përveç rezultateve negative ka pasur sërish lëvizje në pankinë. Kjo pasi para pak ditësh u largua nga drejtimi, Mema, për të rikthyer në pankinë edhe njëherë Çelen. E në Shkodër duket si “treni i fundit” për mbijetesën e Kastriotit këtë sezon. Kjo pasi Bylis që aktualisht është në vendin e 8-të, që nuk bie direkt nga Superliga është 6 pikë larg.
Një kuotë jo edhe aq e parikuperueshme, por duke parë formën e ekipeve për momentin duket i pamundur parakalimi i ballshiotëve. Interesant është fakti se Kastrioti nuk merr fitore prej 1 faze të plotë në kampionat. Kështu ata nuk fitojnë që nga java e 14-të dhe kundërshtar ishte pikërisht Vllaznia. Kastriotit fitonte në atë takim me rezultatin 1-0, falë një goli të Zogajt.
Që nga ajo ndeshje krutanët kanë marrë 6 humbje dhe 2 barazime. Duke qenë kështu ekipi me ecurinë më të dobët në kampionat. E nga Vllaznia tek Vllaznia sërish për Kastriotin, që në Shkodër do bëjë të pamundurën ditën e shtunë për të mos dalë minimalisht pa 1 pikë nga stadiumi “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI