Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj
Gazeta Shkodra Sport Online, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur sportiv i kryeqendrës së veriut, Gjergj Kola, zhvilloi ceremoinë e kthyer në traditë tashmë, “10 sportistët më të mirë të vitit” për Shkodrën. Kjo media mund të konsiderohet avangardë e medias sportive në mbarë vendin, sepse e ka krijuar dhe e vazhdon një traditë të tillë, tashmë në bashkëpunim e Bashkinë e Shkodrës. Një tjetër risi për këtë qytet të artit, kulturës, sportit, dijes; e mbështetur nga kryebashkiaku Benet Beci.
Ky staf i mrekullueshëm, me Gjergj Kolën në krye, organizoi një ceremoni të mrekullueshme, ku merrnin pjesë drejtues, trajnerë, sportistë të të gjitha disiplinave. Binte në sy emëruesi i përbashkët i vetë gazetës online në fjalë, klubit kuqeblu dhe të parit të qytetit, Benet Beci. Një përbashkim me qëllimin fisnik: njohja dhe vlerësimi i më të mirëve në sportin shkodran për këtë vit kalendarik, që po ikën. Kryebashkiaku Beci jo vetëm po transformon Shkodrën me idetë që ka, por me thënë të vërtetën i ka dhënë një frymëmarrje të re edhe sportit në këtë qytet.
Le t’i kthehemi “Shkodra Sport”, një media online që i ka kaluar kufijtë e kryeqendrës së veriut, tashmë ndiqet me mjaft interes në mbarë vendin dhe në trojet shqipfolëse. Kjo gjë është arritur falë profesionalizmit të stafit, shpejtësisë dhe saktësisë së lajmit vendas, por edhe të huaj. Një media së cilës edhe kritika i ka lezet, spikat për analizën e hollë dhe me fakte, larg subjektivizmave e qokavë të ndryshme. “Shkodra Sport” është një model edhe për mediat e tjera sportive në vend. Si një gazetar me shumë eksperiencë pranë Vllaznisë, si njohës i spikatur i të gjitha disiplinave sportive kuqeblu, Gjergj Kola kishte stimuluar kësaj here me vlerësime edhe emra të rinj, por me pritshmëri të mëdha në Shkodër. Nuk mund të harroheshin edhe veteranët, që i kanë dhënë kaq shumë sportit shkodran e atij shqiptar ndër vite.
Duhet kujtuar se Vllaznia është kampione në shumë sporte, individuale dhe kolektive. Shkodra është fidanishte e pashtershme e sportistëve elitarë, që kanë lartësuar emrin e Vllaznisë, por kanë furnizuar edhe klube e ekipe të tjera të kryeqytetit dhe rretheve. Vllaznia e femrave është një ikonë e sportit shkodran, sepse çdo vit shpallet kampione e Shqipërisë, tashmë ka provuar të luajë deri në grupet e Ligës së Kampionëve.
Meritë e presidentit Lazër Matija. Po kështu, me presidentin Alban Xhaferi, Vllaznia e futbollit po njeh përmirësime të dukshme menaxheriale dhe funksionale. Akademia kuqeblu është një model në vendin tonë, nxjerr pa fund talente të rinj, ndërkohë që ekipi i parë është pretendent për titull në kampionatin aktual. Pra, në një peisazh të tillë të bollshëm sportiv, nuk është e lehtë të zgjedhësh më të mirët e vitit, por “Shkodra Sport”, duke i ndjekur zhvillimet nga pranë gjatë 365 ditëve të vitit, di t’i vendosë pikat mbi “I” në këtë drejtim më mirë se askush tjetër.
Shkodra është djepi i kampionëve edhe në boks, mundje, peshëngritje, not, atletikë etj. Prandaj, në ceremoninë e zhvilluar në “Kinema Republika” ishin të pranishëm veteranë të shumtë kuqeblu, jo vetëm të futbollit, por të të gjitha sporteve. Prefektja, kryebashkiaku, kryetari i qarkut ishin garancia e një eventi model dhe gjithëpërfshirës. Festa ishte e mirëmenduar dhe e mirëorganizuar. Kryefjalë kishte sportin shkodran, vlerësimin e më të mirëve, falë rezultateve të gjithsecilit.
“Shkodra Sport” është një pasuri mediatike sportive e kryeqendrës së veriut tashmë, ndërsa drejtuesi i saj, Gjergj Kola, referencë dhe zëdhënës dinjitoz i ngjyrave kuqeblu në sa e sa aktivitete publike. Kola, Uruçi, Zhivani dhe emra të tjerë që punojnë në atë media online janë përmasa dinjitoze mediatike e Vllaznisë, e ngjyrave kuqeblu në të gjitha disiplinat. Me ta mund të mburret Shkodra, sepse bëjnë shumë për imazhin e saj përditë dhe pa u lodhur.
Mund të jetë në rregull të thuash se Shkodra është e kampionëve të mëdhenj në sport, por evidentimi i tyre kërkon profesionalizëm, ndaj “Shkodra Sport” dhe Gjergj Kola me kolegët e tij meritojnë përgëzimet më të mira për ceremoninë në fjalë. Njëri pa tjetrin, pra kampionët kuqeblu pa “Shkodra Sport”, mund të perifrazohet me atë rregullin e pashkruar në menaxhim dhe ekonomi: Produkti (malli), sado i mirë qoftë, pa reklamë do të ishte sikur t’ia bëje me sy një femre të bukur në errësirë…