Dukej gjithçka e kryer, por rinovimi i Elseid Hysajt ka ngecur. Është ky lajmi i fundit nga kampi i Napolit në lidhje me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Sipas “Rai”-t, agjenti i lojtarit Mario Xhufredi dhe drejtuesit e skuadrës napolitane nuk po gjejnë dot gjuhën e përbashkët dhe ka një hendek të madh në mes.
Arsyet e kësaj situate janë të shumta, por nuk bëhen ende të ditura. Megjithatë, portalet pranë Napolit bëjnë me dije se kërkesat e agjentit për rrogën e Hysajt janë të larta. Ai kërkon që mbrojtësi shqiptar të paguhet 2 milionë euro, që bashkë me bonuset të shkojë 2.5 milionë euro në sezon.
Për momentin Hysaj paguhet 1.6 milionë euro në sezon dhe ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2021. Sigurisht që një tjetër arsye pse shkodrani dhe Napoli nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët, është në lidhje me formacionin. Tani nuk është më i paprekshëm si në ekipin e Sarrit dhe Ançeloti është trajner që bën më shumë rrotacion.
Shkodranit i duhet që të qëndrojë më shpesh në stol. Për më tepër, Çelsi e kërkon ende dhe nuk ka hequr dorë prej tij. Një ritakim me trajnerin Sarri e josh Hysajn. Kjo është situata për momentin, por gjithçka mund të ndryshojë.