Nuk ka dritë në tunel për Vllazninë. Mbledhja e munguar e këshillit bashkiak për t’i dhënë zgjidhje ngërçit administrativ dhe më tej problemeve të tjera në skuadër nuk ka ardhur.

Nëse për t’i dhënë zgjidhje situatës në klub mund të mendohet që ka kohë, kjo nuk vlen për futbollistët.

Lojtarët e Vllaznisë janë të kërkuar në merkato pavarësisht rënies së ekipit.

Erald Çinari ka oferta nga jashtë dhe përflitet se ka mbyllur marëveshjen për t’u transferuar në Spanjë, tratativë e mbetur në vend për shkak se duhet zgjidhur gjithçka me klubin e Vllaznisë, që nuk ka për momentin një administrator që të hedhë të zezën mbi të bardhë.

Gjithashtu edhe Erjon Vucaj është nisur drejt Sllovenisë për t’u përgatitur me Luftëtarin që e ka kërkuar për ta patur në kompeticionet e UEFA-s.

Oferta ka edhe për kapitenin Gilman Lika, ndërkohë që në listën e klubeve të Kategorisë Superiore janë edhe futbollistë si Sedat Berisha, Denis Pjeshka, Ardit Krymi dhe Andi Ribaj.

Të gjithë këta lojtarë janë nën kontratë me Vllazninë dhe për momentin klubet e interesuara nuk mund të arrijnë asnjë marëveshje për sa kohë mungon administratori, vend që vijon të jetë vakant që pas dorëheqjes së Astrit Gjyrezit nga ky post.

Sigurisht që në një situatë të tillë në Shkodër mendojnë më shumë për të ardhmen e ekipit, por është fakt që buxheti i skuadrës për Kategorinë e parë është i ekzagjeruar dhe në këtë aspekt duhet zgjidhur sa më shpejt ngërçi, për t’i dhënë zgjidhje të ardhmes së klubit dhe të lojtarëve.