Dy javë nga fundi i ndeshjeve për këtë vit, në Kategorinë e Parë kanë nisur llogaritë e para për sa u përket objektivave që kanë ekipet. Në Grupin A diferencat mes skuadrave janë të mëdha dhe këtë e tregon renditja dhe pikët që kanë ekipet. Vllaznia, Erzeni dhe Dinamo duket se do të jenë ekipet që do të luftojnë deri në fund për vendin e parë që të dërgon në Superiore.

Shkodranët janë në krye me 28 pikë, katër më shumë se shijakasit dhe shtatë nga Dinamo. Ndërsa, Besëlidhja është 15 pikë larg vendit të parë, shumë për një ekip që të rikuperojë në gjysmën tjetër të kampionatit. Të gjitha ekipet e tjera do të luftojnë për të kapur dy vendet e 5-shes së parë, kurse në minigrupin tjetër për t’i shpëtuar rënies nga kategoria.

Vllaznia e kthen në “miqësore” ndeshjen e radhës në “Loro Boriçi” përballë Burrelit. Shkodranët dominojnë sfidën dhe nuk e diskutojnë për asnjë moment 3-pikëshin. Madje, të besuarit e Hasan Likës shpërdorojnë edhe shumë raste të tjera të pastra. Xhunior kthehet te goli pas pesë javësh mungesë, ndërsa shënojnë edhe kapiteni Gilman Lika e mbrojtësi Dan Ignat.

Dinamo fiton një “finale” të parakohshme ndaj Besëlidhjes në transfertë. Blutë kanë marrë 3 pikë në një takim të rëndësishëm ku ka vendosur goli i Prendit. Besëlidhja ka marrë një goditje të rëndë dhe e sheh veten shumë larg Vllaznisë në renditje. Erzeni vazhdon të jetë në ndjekje të Vllaznisë. Shijakasit kanë fituar sfidën e 5-të radhazi dhe vazhdojnë të jenë katër pikë larg shkodranëve.

Në takimin e së shtunës ishte Ermal Vathi ai që shënoi golin e vetëm që vendosi sfidën ndaj Korabit. Vora është rikthyer te humbja ku në Pezë është mundur nga Veleçiku me rezultatin 2-0. Vorakët mbeten në vendin e fundit dhe rrezikojnë shumë rënien.