Nga Endri ÇINARI

Vllaznia arriti një fitore spektakolare në javën e 24-tët të Superiores. Shkodranët mposhtën kryesuesit e Superiores, Egnatian me shifrat 2-1. Ku vendimtarë ishin golat e Balajt dhe Grudes. Duke vijuar kështu në rrugën e rezultateve pozitive rradhazi për kuqeblutë.

Ku në 9 ndeshjet e fundit në Superiore, numërohen 7 fitore të Vllaznisë dhe 2 barazime. Duke shtuar gjatë kësaj periudhe edhe fitoren në kupë kundër Flamurtarit janë 10 rezultatet pozitive rradhazi. Suksesi i fundit i Vllaznisë e bën atë ekipin e dytë me më shumë fitore në kampionat.

Kështu tashmë shkodranët janë në kuotën e 11 fitoreve pas 24 javësh. Ku po ashtu numërohen edhe 7 barazime dhe 6 humbje. Më shumë fitore se Vllaznia ka vetëm Egnatia e vendit të parë me 14 të tilla. E ndërsa i përket humbjeve vetëm dy skuadra kanë shifra më pozitive, Egnatia me 4 të tilla dhe po ashtu Partizani me 4, por të kuqtë numërojnë 10 barazime.

Një rritje e jashtëzakonshme kjo e Vllaznisë në 3 mujorin e fundit në kampionat. Ku tashmë shkodranët janë totalisht në garë për çdo objektiv këtë edicion. Duke nisur që nga kampionati e duke përfunduar tek kupa, ku në mesjavë do jenë përballë Erzenit në kuadër të çerekfinaleve të kompeticionit.